Prishtinë, 16 korrik 2024 -Të marten në Prishtinë u lansua zyrtarisht program për mbështetjen e mërgimtarëve që duan të investojnë në Kosovë, “Dritarja për Investime të Diasporës”. Ky program ofron kredi për projektet investuese të nvestitorëve nga diaspora në Kosovë. Ai ka qëllim rritjen e fluksit të kapitalit të diasporës në Kosovë, përmes ndërmarrjeve të reja të mërgimtarëve kosovarë.
Në ceremoninë e lansimit, autoritetet shtetërore dhe drejtuesit e institucioneve mbështetëse shprehën bindjen se ky program do të rezultojë me rritjen e investimeve të mërgimtarëve.
Kryeministri Albin Kurti, ndër të tjera, tha se parashihet që investimet përmes këtij programi të arrijnë deri në 100 milionë euro.
“‘Dritarja për Investime të Diasporës’ e lehtëson financimin e projekteve dhe ua mundëson bizneseve të mërgatës që të zgjerohen edhe në Kosovë. Do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa e tërë ‘Dritarja…’ parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Kemi shumë raste që bashkatdhetarët tanë po kthehen për të investuar në Kosovë, për të punuar këtu, sepse Kosova ofron kushte të mirë”, tha ai.
Programi “Dritarja për Investime të Diasporës” realizohert me mbështjejen e USAID-it. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se qeveria amerikane e ka mbështetur realizimin e këtij programi me qëllim që ndërmarrësit kosovarë në diasporë të kthehen në Kosovë dhe të sjellin këtu përvojën dhe ekspertizën e tyre më të mirë.
“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, sepse e kuptojmë mundësinë e rrallë që prezantojnë bizneset nga diaspora. Kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen në vend, sjellin më të mirën këtu…Me çeljen e kësaj platforme, shpresojmë të mbështesim më shumë rrëfime suksesi si kjo, krijohen vende të reja të punës”, tha ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se Qeveria do t’i ofrojë 8 milionë euro për këtë program, ndërsa Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do t’i ndajë dy milionë euro. Ai tha se ky program do të mundësojë rritjen e investimeve të diasporës.
Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, tha se kontributi i diasporës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe shprehu besimin se programi “Dritarja për Investime të Diasporës” do të jetë një mbështetje e madhe për rritjen e inverstimeve në Kosovë.
(r.m.)