Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, është kandidate për t’u bërë diplomatja e re amerikane në Korenë e Jugut.
Televizioni korean KBS ka njoftuar se Yuri Kim së bashku me ish-komandantin e Forcave Amerikane të Koresë, Vincent Brooks, janë midis kandidatëve kryesorë që mund të marrin postin e rëndësishëm në Korenë e Jugut.
Përkohësisht ky post mbahet nga Chris Del Corso, i cili mbante më herët postin e drejtorit ekzekutic të Byrosë së Çështjeve të Hemisferës Perëndimore në Departamentin e Shtetit.
Nuk dihet nëse ambasadorja Kim do të largohet menjëherë nga Shqipëria nëse zgjidhet diplomate në Korenë e Jugut, apo do të pritet që të përfundojë mandati i saj në vendin tonë.