Lavrov: Pamundësimi i vizitës sime në Serbi, akt i pashembullt

Moskë, 6 qershor 2022 – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka cilësuar si akt të pashembullt pamundësimin e vizitës së tij në Serbi.

Lavrov e ka bërë këtë deklaratë në një konferencë për media, në Moskë, pasi vendet fqinje të Serbisë – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për aeroplanin me të cilin do të udhëtonte ai në Beograd.

“Nëse vizita e ministrit të Jashtëm rus në Serbi, shihet nga Perëndimi si kërcënim në shkallë universale, atëherë gjërat në Perëndim janë qartazi shumë keq”, ka thënë ai.

Lavrov ka thënë se pavarësisht prej pamundësimit të vizitës së tij në Beograd lidhjet midis Serbisë e Rusisë do të jenë shumë të forta.

“Gjëja kryesore se është askush nuk do të mund të shkatërrojë lidhjet tona me Serbinë”, ka thënë ai.

Lavrov ka bërë të ditur se homologu i tij serb, Nikolla Sellakoviq, është ftuar në Moskë dhe ka shfaqur shpresën se udhëtimi i tij nuk do të pengohet.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka cilësuar vendimin për moslejimin e fluturimit të aeroplanit të Lavrovit nëpër hapësirat ajrore të Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi si “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”.

Ndërkaq, Kremlini e ka cilësuar si “veprim armiqësor” mbylljen e hapësirës ajrore për udhëtimin e Lavrovit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ku veprim mund të ndryshojë orarin e takimeve të nivelit të lartë diplomatik. Ai ka theksuar se  kjo gjë nuk do ta pengojë Rusinë të mbajë kontakteve me shtetet mike.

Serbia, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë, nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, në fund të muajit të kaluar, janë pajtuar që Rusia të vazhdojë të furnizojë me gaz natyror Serbinë, derisa disa shteteve evropiane u është bllokuar furnizimi, për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse.

(r.m.)