Moskë, 28 mars 2022 – Moska është duke analizuar masa për t’ua kufizuar hyrjen në Rusi, banorëve të shteteve “jomiqësore”, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Është duke u krijuar një dekret presidencial për masat hakmarrëse për vizat, si përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore për një numër të shteteve të huaja”, ka thënë Lavrov në një transmetim televiziv.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka cituar Lavrovin të ketë thënë se masat “do të jenë përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore nga Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e tyre”, duke përfshirë “sanksionet jolegjitime” dhe “vendimet që cenojnë të drejtat e qytetarëve rusë dhe subjekteve ligjore”.
Aty nuk janë dhënë hollësi se për cilat shtete do të aplikohen masat, mirëpo Qeveria ruse ka miratuar në të kaluarën një listë të shteteve dhe territoreve që konsideron se kanë kryer “veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive të saj dhe qytetarëve”.
Në listë përfshihen: Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Zvicra, Norvegjia, Japonia, Koreja Jugore, Australia, Zelanda e Re, Singapori dhe vende tjera.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
(REL)