Lavrov rikonfirmon lidhjet e Rusisë me Korenë e Veriut

Penian, 19 tetor 2023 – Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, e ka rikonfirmuar partneritetin strategjik të shtetit të tij me Korenë e Veriut, gjatë një vizite të nivelit të lartë në Phenian.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur në nivel të ri, pas takimit të zhvilluar në shtator mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe liderit verikorean, Kim Jong un, ka thënë Lavrov, në nisje të takimeve.

Homologu i tij verikorean, Choe Son Hui, ka folur për “vitalitet të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Choe është cituar të ketë thënë se përgjatë vizitës së Lavrovit pritet të implementohen “marrëveshjet historike” të muajit të kaluar.

Ministri rus është takuar edhe me Kimin rreth një orë, mirëpo nuk janë bërë të ditura detajet e bisedës.

Koreja e Veriut është duke u përballur me kritika ndërkombëtare për furnizim të Rusisë me armë, teksa kjo e fundit e lufton Ukrainën.

Lavrov nuk i ka përmendur armët në mënyrë specifike, mirëpo e ka falënderuar Korenë e Veriut për mbështetjen e Rusisë në Ukrainë.

Lavrov u ka thënë gazetarëve se kjo nënkupton që Koreja e Veriut i njeh territoret e pushtuara ukrainase si pjesë të Rusisë.

Ai u është referuar rajoneve Herson, Zaporizhja, Luhansk dhe Donjeck, të aneksuara pak më shumë se një vit më parë.

Koreja e Jugut, në anën tjetër, ka thënë se është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet në Korën e Veriut.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët shqetësohen se Koreja e Veriut, e cila është e sanksionuar ndërkombëtarisht për programin e armëve bërthamore, mund t’i dërgojë armë Rusisë, në këmbim të pranimit të teknologjisë së avancuar ruse.

Rusia, bashkë me Kinën, është e përkushtuar për negociata për sigurinë e Gadishullit Korean, pa parakushte, ka thënë Lavrov.

Ai ka shtuar, po ashtu, se Rusia është shumë e shqetësuar për “infrastrukturën ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut” në rajon.

Lavrov është pritur me lule nga qindra verikoreanë në Phenian.

Ai pritet ta përgatisë edhe një takim për Putinin në kryeqytetin verikorean.

(REL)