Lavrov: Rusia është e gatshme të bisedojë me SHBA-në për shkëmbimin e të burgosurve

Moskë, 5 gusht 2022 – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 5 gusht se Moska është e gatshme të diskutojë shkëmbimin e të burgosurve me Uashingtonin përmes një kanali ekzistues diplomatik.

Kjo deklaratë e Lavrovit vjen një ditë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burgim basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge.

Sipas ligjeve ruse, dënimi maksimal për akuzat që rëndojnë ndaj Griner është dhjetë vjet burgim.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë këtë temë, por brenda kornizës së kanalit për të cilin u ra dakord nga presidentët [Vladimir] Putin dhe [Joe] Biden”, tha Lavrov në një konferencë për media në margjinat takimit në Samitin e Azisë Lindore më 5 gusht.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një deklaratë menjëherë pas shpalljes së dënimit, duke thënë se ky rast “është një përkujtues i radhës atë që bota tashmë e di: Rusia pa të drejtë po e mbanë Brittneyn”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov më 29 korrik zhvilluan një bisedë telefonike, në të cilën ai i kërkoi Moskës të pranonte ofertën e SHBA-së për lirimin e basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe amerikanit tjetër të burgosur, Paul Whelan.

Qeveria amerikane i ka propozuar Rusisë këmbimin e Whelanit dhe Grinerit, me rusin e dënuar për tregti armësh, Viktor Bout.

(REL)