Lavrov: Situata në Kosovë mund të provokojë konflikt të ri në Evropë

Nairobi (Kenia), 29 maj 2023 – Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, ka thënë Lavrov gjatë një vizite në Kenia, citon Radio Evropa e Lirë.

Lavrov ka shtuar se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane.

“Asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”, ka thënë ai.

Lavrov ka përsëritur se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave të Zveçant, Zubin Potokt dhe Leposaviqit. Serbët i konsiderojnë jolegjitimë kryetarët e katërkomunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të zgjedhuur në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë.

Të premten, më 26 maj, Policia e Kosovës ka hyrë me forcë në këto komuna për t’ua mundësuar hyrjen në zyrat e tyre kryetarëve të rinj të komunave.

Qeveria e Kosovës i mbron veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se i minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

(r.m.)