LDK, AAK dhe LVV gjobiten për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore

Prishtinë, 16 janar 2025 – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka gjobitur tri subjekte politike për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet në tubimet e tyre elektorale. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur me 20 mijë euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 12 mijë euro dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 3 mijë euro.

LDK është gjobitur për shkak se kandidatja e kësaj partie për deputete, Xhenet Syka, ka shpërndarë në Facebook një video që e krahason me Adolf Hitlerin kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurti.

“Mbështetësja e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës-LDK, me qëllim të etiketimit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje dhe promovimit të subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nxitur urrejtje ndaj subjektit politik LVV, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ka publikuar përkatësisht shpërndarë në faqen e saj të rrjetit social video, ku në të është bërë krahasim i personalitetit të kryetarit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me figurën e Adolf Hitlerit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

LDK-ja e ka kundërshtuar gjobën me arsyetim se fotografia e Vetëvendosjes në ankesën drejtuar PZAP-it nuk është shpërndarë nga kandidatja Syka, por nga dikush tjetër. Por, PZAP ka konstatuar se shkelja ka ndodhur dhe se kandidatja Syka e ka fshirë postimin ndërkohë.

AAK-ja është gjobitur për shkak se kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërtetuara ndaj Kurtit, në një tubim zgjedhor të këtij subjekti: “Duhet ta heqim mashtruesin se duam siguri dhe anëtarësim të plotë në NATO dhe duam anëtarësim në planin nacional, duam miqësi me Amerikën, për atë duam ta heqim,  mashtruesin”.

“Për panelin përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me nenin 34, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin përcaktohet: Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: … përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdolloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-it.

Ndërkaq LVV-ja është gjobitur për deklaratën e Kurtit në tubimin elektoral të kësaj partie në Pejë: “Nuk ka se si të mos çuditeni kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit. Por këtu, qysh e dini edhe ju vetë, LDK-yhi edhe PDK-yhi janë bashkë në koalicion”.

Në vendimin e PZAP-it, Kurti ka përdorur terme pezhorative në atë tubim zgjedhor.

“Paneli, pas shqyrtimit të tri videove të ofruara si provë materiale e të cilat janë publikuar në rrjete sociale, prej nga rrjedh se kryetari i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje – kandidat për kryeministër Albin Kurti, me qëllim të etiketimit të subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës dhe promovimit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-it.

Vendimet janë të apelueshme në Gjykatën Supreme.

LDK-ja, AAK-ja dhe LVV-ja janë obliguara që pagesat e gjobave t’i kryejnë brenda afatit 15 ditor nga plotfuqishmëria e vendimit.

(r.m.)

Comment

*