LDK-ja inicion themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Prishtinë, 6 shtator 2023 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka iniciuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për procedurat e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore.

Kjo nismë vjen pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe të një biznesmeni lidhur me furnizimin me grurë dhe vaj ushqimor për rezervat shtetërore të vitit 2022.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një njoftim në Facebook, ka bërë të ditur se nënshkrimet e kërkesës për themelimin e komisionit tashmë janë dorëzuar në kuvend.

“Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat konform ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme. Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!” ka shkruar Gashi.

Dy zyrtarë të MINT dhe një biznesmen janë arrestuar në bazë të dyshimeve për dallavere me blerjen e grurit dhe vajit ushqimor për rezervat shtetërore. Atyre iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata e Apelit vendosi për lirim nga arresti për t’u mbrojtur në liri.

Që nga arrestimi i tyre, opozita kërkon dorëheqjen e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

(r.m.)