“Le Monde” shkruan për lidhjet e Vuçiqit me grupet kriminale në Serbi

Paris. 2 gusht 2021 – Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” ua ka kushtuar sot një tekst të gjatë presidentëve të dy vendeve ballkanike, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë dhe Milo Gjukanoviqit të Malit të Zi.

Gazeta “Vijesti.me” shkruan se n٥ shkrimin e “Le Monde” flitet për grupet kriminale nga Serbia e Mali i Zi që kanë marrë pjesë në shitjen e drogës me origjinë nga Amerika e Jugut dhe se gjithçka është bërë me përkrahjen e liderëve në pushtet.

“Le Monde” shkruan se vëllezërit e të dy presidentëve, Andreja Vuçiqit në Beograd dhe Aca Gjukanoviqit në Podgoricë, kanë pasur rol në lidhjet kriminale. Gazeta e citon një diplomat të huaj, i cili ka thënë se Evropa ka mbyllur sytë për atë që po ndodhte në Serbi e Mal të Zi, siç është shprehur, “në emër të gjeopolitikës”.

Sipas shkrimit, autoritetet në Serbi dhe në Mal të Zi e kanë favorizuar grupin kriminal “Kavaçki”, “pjesëtarët e të cilit kanë mbajtur lidhje të ngushta me huliganët e lidhur me Vuçiqin” dhe se grupi kriminal “Janiçari”, më vonë i njohur si “Principe”, është forcuar vazhdimisht me ardhjen e Vuçiqit në pushtet. Sipas gazetës, pjesëtarët e këtij grupi ishin të pranishëm edhe në ceremoninë e inaugurimit të Vuçiqit si president i Serbisë, kurse djali i tij, Danilo, është parë vazhdimisht në shoqëri të pjesëtarëve të këtij grupi.

“Le Monde” shkruan se lidhjet mes këtij grupi dhe pushtetit i ka mbajtur Dijana Hrkaloviq, e cila është emëruar nga Vuçiqi sekretare shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Së fundi, edhe një lider i një grupi të madh kriminal në Serbi, ka thënë se para se të arrestohej është takuar me Vuçiqin. Kreu i shtetit serb e ka mohuar këtë. Ai ka thënë se është i gatshëm t’i nënshtrohet edhe testit  të poligrafit “për të nxjerr të vërtetën në shesh”.

Gazeta e madhe francize shkruan se poligrafi është mjet i njohur në Serbi për të shfajësuar politikanët nga fajësia. Ajo shkruan se pas shumë ngjarjeve të bujshme në Serbi, autoritetet kanë thënë se “x politikani e kaloi testin e poligrafit”, por nuk kanë dhënë dëshmi shtesë.

Vuçiq ka thënë se testin e poligrafit e ka dhënë edhe Milan Radojçiqin, serbi nga veriu i Kosovës, i dyshuar nga organet e Kosovës si pjesëmarrës në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

“Radojçiqi e ka kaluar testin e poligrafit dhe ai nuk ka të bëjë asgjë me vrasjen e Ivanoviqit”, pati thënë Vuçiq.

Që nga vrasja e Ivanoviqit, Radojçiq gjendet në Serbi, në mbrojtje të pushtetit. Pak kohë më parë, ai ishte mysafir edhe në Kuvendin e Serbisë, kur Vuçiqi foli për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

E veja e Ivanoviqit, deputete në Kuvendin e Serbisë, e lëshoi seancën, në shenjë proteste ndaj pranisë së Radojçiqit në sallën eKuvendit.

“Unë dhe Radojçiqi nuk mund të ndajmë të njëjtën hapësirë”, ka thënë ajo.

(r.m.)