Lea Ypi: Në Shqipëri më akuzuan dhe ofenduan. Më thanë se i shërbej Ramës që të më bëjë presidente

Londër, 3 janar 2022 – Lea Ypi, autore dhe njëherësh pedagoge e teorisë politike në Shkollën Ekonomike të Londrës, ka reaguar përmes mediave britanike për kritikat që mori në Shqipëri mbi librin e saj “Të Lirë”, veçanërisht në promovimin e tij në Panarin e Librit, në nëntor të vitit të kaluar.

Ypi ka dhënë një intervistë për “The Guardian” ku ka thënë se ajo u linçua kur e promovoi librin në Shqipëri dhe u përball me “fyerje, akuza dhe shpifje”, siç i ka quajtur ajo.

Sipas saj, shumica e kritikave vinin nga njerëzit të cilët nuk e kishin lexuar librin ose e kishin keqkuptuar kritikën e saj ndaj kapitalizmit dhe komunizmit.

Një nga aspektet që u shoqërua me kritika të shumta ishte edhe prania e kryeministrit Edi Rama dhe disa prej ministrave të tij në promovimin e librit të saj.

“Unë jam shumë kritike ndaj qeverisë shqiptare, por njerëzit mendonin se unë po manipulohesha ose po përvetësohesha prej qeveritarëve”, ka thënë ajo.

The Guardian shkruan se këto perceptime kanë nxitur edhe idenë e rreme se Lea Ypi është një nga kandidatët për t’u bërë presidente e ardhshme e Shqipërisë.

“Nëse vazhdon të përsëritet i njëjti lajm i rremë si ai, pothuajse bëhet si lajm i vërtetë. Dhe kjo gërryen kritikat konstruktive. Se çfarë duhet të bëhet me shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha është një debat i vlefshëm, por nëse bazohet çdo gjë në lajme të rreme dhe në keqinterpretime atëherë nuk jemi gjëkundi”, ka theksuar ajo.

Ypi shkruan në libër nga këndvështrimi i saj si fëmijë në Shqipërinë e viteve 1980, kur ajo u njoh me adhurimin që i bëhej diktatorit Enver Hoxha dhe pikëpamjet disidente të familjes së saj u bënë të qarta për të vetëm pas rënies së regjimit.

“Një nga mesazhet më të rëndësishme në libër është se sado shtypës të jetë një regjim, ai kurrë nuk e dërrmon plotësisht dinjitetin njerëzor”, është shprehur ajo.

Autorja shpjegon se disa prej kritikëve i kanë keqkuptuar idetë e saj, duke e akuzuar atë se po e përjetonte sidromën e Stoklohmit duke “rehabilituar” komunizmin.

“Të prek personalisht nëse ke një gjysh që i ka kaluar 15 vjet në një burg komunist, nëse të thuhet se po përpiqesh të rehabilitosh vrasësit komunistë”, ka thënë Lea.

Ypi ka theksuar se disa nga reagimet kanë qenë seksiste dhe se ajo shikohej “më shumë si një showgirl se sa një akademike”.

“Është një pakicë, por është kaq e zëshme, kaq personale dhe kaq e mbrapshtë, sa që ndikon shumë më tepër në raport me qëndrimet e tjera pozitive”, ka theksuar ajo.

Madje, ajo ka bërë edhe një krahasim me periudhën kur ka qenë fëmijë, kur, sipas saj, të tjerët e tallnin sepse ajo mësonte frëngjisht.

“Është pikërisht i njëjti lloj njerëzish që më tallnin kur isha fëmijë, me këtë që po bëjnë tani,” ka thënë ajo.

Ypi ka treguar se shumë nga kritikat erdhën pasi ajo e lançoi versionin shqip të librit në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha.

“Duke promovuar librin e dikujt që vjen nga një familje disidentësh ishte sikur ta kisha dërguar diktatorin Enver Hoxha në ferr. Ishte një simbolikë e fuqishme”, ka thënë ajo.

Ypi e ka shkruar librin paralelisht në anglisht dhe shqip. Ajo mendon se me gjithë komentet negative në internet, libri ka arritur të ndezë diskutime konstruktive për meritat e socializmit dhe të kapitalizmit.

“Nëpërmjet historive familjare, unë përpiqem t’i angazhoj të gjithë në një diskutim të madh publik rreth lirisë – nëna ime ka një ide për lirinë dhe babai ka një tjetër. Kur funksionon, hap diskutime të mëdha dhe brezi i ri e sheh me shqetësim dhe me kureshtje se në çfarë lloj sistemi jetojmë”, ka thënë LeaYpi në intervistën për The Guardian.

(Panorama.al)