Lehtësi lëvizjeje dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit

Pika e Shishtavecit u mundësua nga marrëveshja që firmosën më 16 prill 2013 në Tiranë ministrat e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe të Shqipërisë, Flamur Noka

 

Denion Ndrenika

Banorët e zonës kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë tanimë tri pika të reja kalimi kufitar. Në Shishtavec të Kukësit në rajonin kufitar me Prizrenin u përurua të dielën pika e Shishtavecit. Pika e Kalimit Kufitar të Shishtavecit u mundësua nga marrëveshja që firmosën më 16 prill 2013 në Tiranë ministrat e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe të Shqipërisë, Flamur Noka. Kryetari i komunës së Shishtavecit, Dylejman Nela tha se hapja e pikës kufitare rrit shanset për përfitimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas zotit Nela, rëndësi ka kjo pikë veçanërisht për mundësitë në rritje të përfitimit të shërbimeve të ndryshme prej shtetasve: “Hapja e pikave të kalimit të kategorisë “C” ka të bëjë mjaft, për arsye se tashmë në këtë komunë ne do të kemi kahje të ndryshme rrugore, do të kemi zhvillim ekonomik, një bashkëpunim të ndërsjellë pasi banorët e komunës tonë kanë lidhje gjaku, farefisonore me të gjithë banorët e komunës së Dragashit në Republikën e Kosovës. Dhe, për fat të mirë edhe të gjithë planet e zhvillimit turistike, ekonomike, rajonale ne po i bëjmë në bashkëpunim me komunën e Dragashit”.
Mbi bazën e marrëveshjes që firmosën ministrat Rexhepi dhe Noka përfshihen pikat në Borje-Glloboçicë dhe Orgjost-Orçush. Po ashtu Kosova dhe Shqipëria sipas të njejtës marrëveshje, do të ndërtojnë Pikë të Përbashkët Policore të vendosur në territorin e Kosovës. Ministri Rexhepi kishte thnënë atë ditë se marrëveshjet ndihmojnë drejtpërdrejtë në rritjen e shkëmbimeve mes të dy vendeve: “Do të mundësojnë të dyja lëvizjen më të lirë të qytetarëve, pa pengesa të shumta dhe luftë më efikase të përbashkët kundër krimit të organizuardhe trafiqeve të ndryshmne ilegale. Pra, është në interes të të dy shteteve, rajonit në përgjithësi dhe janë disa standarde europiane, që bashkërisht i plotësojmë. Në qendër do të bëhet shkëmbimi i informacioneve dhe format e kontrollit të përbashkëta. Për sa u përket pikëkalimeve kufitare, të kategorisë “B” ose “C”, janë kryesisht për ata banorë që jetojnë nëpër vise rurale, pak të izoluara dhe ndoshta nuk do të jenë të hapura gjatë gjithë vitit”. Kurse zoti Noka pohoi rëndësinë e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë: “Republika e Shqipërisë tregon vullnetin e saj për të forcuar më tej bashkëpunimin rajonal, me Kosovën në veçanti, për paqe dhe stabilitet në rajon. Nënshkruam këto marrëveshje dhe më e rëndësishme që do të rrisin ndjeshëm komunikimin fizik, shpirtëror, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin e rajoneve të Kukësit dhe Prizrenit, të cilët kishin mjaft vështirësi në lëvizjen e tyre të lirë”.
Me këto marrëveshjet të dy vendet do të përfitojnë fonde zhvillimi nga Bashkimi Europian.