Shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri tashmë do të pajisen me karta elektronike me të dhëna biometrike ndryshe nga varianti i deritanishëm që ishte thjesht një dokument në formatin e letrës A4.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se përmes dokumentit të ri me të dhëna biometrike, shtetasit e huaj me leje qëndrimi në vendin tonë, kanë gjithashtu mundësi të përfitojnë nga shërbimet qeveritare në portalin “e-Albania”.
“Besoj se rreth 20 mijë shtetasit e huaj që janë me leje qëndrimi në Shqipëri, do kenë tashmë një mundësi shumë të mirë për të lehtësuar marrjen e shërbimeve në shtetin shqiptar.
Eshtë një kartë që unë do ta quaja shumë moderne, sepse përsa i takon veçorive dhe informacionit që ka, është e njëjta me atë që kanë shtetasit shqiptarë, si kartë elektronike.
Pasja e këtij dokumenti të ri është një element më shumë për t’u ndier shqiptarë, ashtu siç besoj se janë ndier deri tani, pavarësisht se kanë pasur si leje qëndrimi vetëm dokumentin e thjeshtë format A4”, tha ministri Çuçi.
Më tej ai njoftoi se të gjithë shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri kanë 30 ditë kohë për t’u paraqitur në zyrat e kompanisë “Aleat” në të gjithë vendin për të aplikuar për dokumentin e ri elektronik me të dhëna biometrike.
“Të gjithë të huajt që duan të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri tashmë regjistrohen vetëm njëherë në drejtoritë e Kufirit dhe Migracionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj çdo gjë bëhet elektronikisht, duke mundësuar më së fundi komunikimin e regjistrave: regjistrit “FER”, që është regjistri i të huajve që janë me leje qëndrimi në Shqipëri dhe që administrohet nga drejtoria e Kufirit me regjistrin e Gjendjes Civile”, u shpreh Ministri i Brendshëm.