Prishtinë, 17 prill 2024 – Mbi 300 qytetarë të Kosovës që ishin bllokuar në zonën neutrale në vendkalimin kufitar mes Serbisë e Kroacisë, në Batrovci, janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin në të dyja drejtimet, pas rreth 16 orësh.
Lajmin e ka kumtuar një nga zyrtarët e kompanive transportuese të udhëtarvëve që ishte në mesin e shtetasve kosovarë që ishin bllokuar atje.
“Po jemi liruar na të dy anët, edhe nga Kroacia për në Serbi dhe anasjelltas”, ka thënë ai për Telegrafin.
Dhjetëra autobusë nga Kosova që po udhëtonin për në vendet e Bashkimit Evropian ose po udhëtonin nga këto vende për në Kosovbë nuk ishin lejuar të vazhdonin udhëtimin qysh prej të martës rreth orës 23:00.
Tash për tash nuk ka informacione nëse janë lëjuar të vazhdojnë udhëtimin edhe shtetasit e Kosovës që ishin bllokuar në vendkalimet kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë.
Mediet në Kosovë raportojnë se disa prej udhëtarëve të ndaluar janë marrë në pyetje nga autoritetet serbe, siç kanë thënë, “për verifikim”.
Por autoritetet nuk kanë shpjeguar se çfarë kishin për të verifikuar. Më herët, pronari i një kompanie transportuese të udhëtarëve, ka treguar se autoritetet serbe kishin thënë se kjo bëhej “me urdhër nga lart”, por nuk kanë thënë se cila ishte arsyeja e blokimit.
Ky akt i autoriteteve të Serbisë nxiti reagime të shumta në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë akt Serbia “po hakmerret ndaj civilëve kosovarë” për votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Bashkimi Evropian e cilësoi këtë veprim të Serbisë si shkelje të marrëveshjes për Lëvizje të Lirë, të arritur në Bruksel, gjatë dialogut midis Kosovës e Serbisë.
(r.m.)