(Ese postmortum për Luran Ahmetin)
Ne që mbetemi ta kujtojmë Luran Ahmetin, do ta kemi vështirë t’i shpjegojmë nuancat e dritë-hijeve që përshkojnë tisin e (mos)vëmendjes institucionale ndaj vlerave që prodhojnë njerëzit tanë të kulturës e artit.
Nga Emin AZEMI
Pesha e dhembjes për humbjen e aktorit Luran Ahmeti, mund të pjesëtohet në miliona grimca brenda shpirtrave tanë të trazuar, por kjo dhembje shumëzohet dhe peshon më rëndë aty ku lë zbrazëtirën më të madhe: në familjen e tij. Babain e tij, mikun tim të shtrenjtë, Xhabir Ahmetin, rrallë e kam pa të nxjerrë lot nga sytë, jo pse nuk kishte mijëra arsye në jetën e tij të mbushur plot me dallgë të furishme që ia ndalnin frymën, por tani ai po bëhej pjesë e një kortezhi ku biri i tij, Lurani, po përcillej për herë të fundit në rrugëtimin e pakthim. Futja e Xhabirit, pa dashjen e tij në këtë kortezh, si një mizanksenë homazhi, do të jetë një skenë që luhet vetëm një herë në jetë. Kësaj radhe Lurani mungonte të interpretojë vertikalisht lojën e tij të fundit në skenën e jetës, sepse një regji e padukshme atij ia kishte caktuar një rol tjetër.
Por, një rol që ne të gjithë do të donim ta harrojmë sa më shpejt, sepse nuk duam ta mbajmë mend Luranin të shtrirë jashtë vullnetit të tij, në një pozitë ku pushon ritmi i jetës dhe fillon tiktaku i amshimit.
Ai nuk mundi ta kapërcejë Bregun e pikëllimit, sepse u bë vet Pikëllim për gjithë ne.
Luran Ahmetin do të mbetet një mekanizëm i gjallë kujtese në shoqërinë tonë të sfilitur nga subkkultura, dhe nga pakujdesia institucionale për artistin, edhe atëherë kur ai përgjithmonë ikë nga kjo jetë e përkohshme. Edhe atëherë kur qasja e tij herë-herë rebele, nuk mund të paraqesë më kurrfarë rreziku për askënd, dhe më së paku për ata që kanë frikë fuqinë e artit.
Artistët si Lurani, janë të rrallë për t’u trajtuar si një biletë që lehtësisht mund të fotokopjohet, sa herë që ne duam të futemi pa e përvetësuar mirë kodin e mortjes në një akademi përkujtimi.
Ai mbetet i madh me rolet që luajti, jo me jetën private, e cila dikujt ka mundur t’ia prishë terezinë e drejtpeshimit qytetar e shoqëror. Prandaj ata që do të duhej ta trajtojnë atë si një ikonë arti që na bëri të gjithëve krenar, padrejtësisht e reduktuan rolin e tij brenda kornizave të lojës jashtë teatrore.
Luran Ahmeti frymonte me ritmin e teatrit dhe me dinamikën e ekranit, ku ai mishërohej si një pemë që lidhë rrënjë për të ushqyer të ardhmen tonë me frytet e pjekurisë si shoqëri e si kulturë urbane. Atë ditë kur po i jepnim lamtumirën e fundit Luranit, ndoshta nuk e dinim se pahetueshëm mund të ngelim edhe pa këta fruta, nëse ato nuk i kultivojmë me dashurinë njerëzore që na la ai si trashëgim. Sepse, Lurani refuzonte kategorish t’i ndante njerëzit dhe për të, të gjitha lagjet tona politike, sociale, fetare ishin të integruara në një urbanistikë të vetme, ku komunikimi frymonte me gjuhën e shenjtë të shqipes dhe mirëkuptimit brendakombëtar.
Këtë kod njerëzor ai e barti gjithkund ku lëvizi dhe sidomos në hapësirat kulturore ku shqipja konsiderohej gjuhë e huaj, por Lurani aktor dhe njeri pranohej si një libër i hapur ku mund të gjeje leksione të shumta mbi ngrohtësinë e një udhëtari të lodhur që dyert e bujtinave i hap me çelësin magjik të mirësjelljes.
Artistët edhe kur nuk jetojnë më, e shndërrojnë në nurë pavdekësie shkëlqimin e figurave në skenën tonë të kujtesës. Lurani, sa do që na mungon fizikisht, ai është shumë aktiv në procesin e riprodhimit të galerisë së madhe të roleve, e cila sa vjen e bëhet pjesë e pandashme e kulturës së receptivitetit teatror.
Ne që mbetemi ta kujtojmë, do ta kemi vështirë t’i shpjegojmë nuancat e dritë-hijeve që përshkojnë tisin e (mos)vëmendjes institucionale ndaj vlerave që prodhojnë njerëzit tanë të kulturës e artit.
Për ta nderuar edhe çuar në vend respektin ndaj artistit Luran Ahmeti, do të duhej të kërkojmë me këmbëngulje që shoqëria jonë tash e në të ardhmen të krijojë parakushtet institucionale për të përfshi emrin e tij në hierarkinë tonë të vlerave.
Do të duhej të kërkojmë edhe shumë çka, të paktën edhe disa finesa ceremoniale, që munguan, e që do të duhej në të ardhmen, në raste të ngjashme t’i kemi parasysh, duke filluar nga kodi i veshjes, e deri te formimi i një bendi muzikor që do të krijonte atmosferë lamtumirëse.
Luran, ti pusho, se ne ende kemi edhe disa punë për t’i bërë në emër tënd!