LETËR E HAPUR SHTETEVE TË QUINT-it (SHBA, BRITANI E MADHE, GJERMANI, FRANCË, ITALI) DHE BE-së

Për sa kohë që BE dhe SHBA janë të gatshme të vazhdojnë me përkdheljen e Serbisë, nuk do të ketë marrëveshje dhe zgjidhje të konfliktit ballkanik

Agim Aliçkaj

Nju Jork, 21 Janar 2022 

Të nderuar përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe BE-së,

         Po ju shkruaj, me shumë respekt, për ta ndryshuar qasjen ndaj konfliktit në Ballkan për shkak të mungesës së dukshme të ndonjë progresi. Politika e deritanishme e përkdheljes së Serbisë ka dështuar plotësisht. Ajo vetëm sa e ka ndihmuar Serbinë për të vazhduar me sjellje destruktive dhe destabilizimin e Ballkanit. Kështu nuk mund të funksionojë kurrë. Gjasat për ta larguar Serbinë nga ndikimi rus janë të pakta. Politikanët serbë po ju gënjejnë se do ta bëjnë. Ata janë mjeshtër të mashtrimit dhe manipulimit.

         Shumica e 30 marrëveshjeve të nënshkruara nuk zbatohen nga Serbia. Ju po i bëni presion Kosovës për të respektuar vetëm një marrëveshje të dëmshme antikushtetuese për formimin e “asociacionit të pastër etnik serb”. Si është e mundur të kërkoni shtet multietnik me entitete të pastra etnike? Kjo nuk ka kurrëfarë kuptimi dhe është kundër vlerave dhe politikave të proklamuara nga ju.

         Deklarata e juaj e përbashkët në lidhje me referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi ishte e padrejtë dhe për keqardhje. Ishte padyshim një hap tjetër në drejtim të gabuar.

         Askush në Kosovë nuk e ndaloi minoritetin serb që jeton në Kosovë të votojnë në shtetin e tyre në Serbi. Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti i tha kryetarit të Parlamentit Evropian z. Josep Borrell se ata mund të votojnë me postë ose në zyren ndërlidhëse në Prishtinë. Kishte edhe një zgjidhje tjetër më të mirë dhe më të lehtë e cila më në fund u përdor për votim, vetëm duke e kaluar kufirin.

         Të gjithë e dinë se votimi është një e drejtë e shenjtë. Megjithatë, nuk është e drejtë të ushtrohet nga asnjë vend brenda një vendi tjetër. Problemi është se politikanët serbë janë përpjekur të përdorin referendumin për të përforcuar pretendimin e tyre se Kosova është pjesë e Serbisë. Referendumi ka dështuar sepse Serbia është një shtet i dështuar, agresiv, i pacivilizuar që nuk i njeh kufijtë. Serbia ka nevojë për ndihmë për t’u shëruar nga sëmundja e urrejtjes së kombeve të tjera përreth, duke u përpjekur t’i dominojë ata dhe të rrëmbejë tokat e tyre.

         Thirrja juaj që të dy qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë “të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog përmes BE-së” është në rregull, por nuk është aspak e dobishme. Nuk bazohet në realitetin aktual. Faktet janë se Kosova ka 22 vite që i plotëson këto kërkesa dhe nuk ka respekt. Ajo ka bërë kaq shumë lëshime me shpresë për zgjidhje konstruktive dhe të drejtë, por nuk ka patur asnjë përfitim. Nga ana tjetër, Serbia ka shfrytëzuar gjithë këto vite për të mos respektuar asgjë.

         E pajisur me armatim te rëndë nga Rusia, Serbia është inkurajuar të kërcënojë Kosovën edhe me përdorimin e forcës. Dhe ende po tolerohet, pa kushte, pafundësisht dhe në mënyrë të panevojshme.

         Politikanët e korruptuar, sigurisht edhe kriminelë të Serbisë, po ndjekin axhendën e Millosheviçit. Kosova është e përfshirë në kushtetutën e tyre si pjesë e Serbisë. Edhe pse e keni njohur pavarësinë e Kosovës 13 vjet më parë, ju kurrë nuk keni bërë presion serioz ndaj Serbisë që të ndryshojë kushtetutën e saj false.

         Ju nuk i keni kushtuar vëmendje fare të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi. A mund të kenë edhe ata një Asociacion  Shqiptar të pastër etnikisht? Apo edhe më e thjeshtë, a mund t’a gëzojnë të drejtën të mësojnë historinë e tyre kombëtare, t’i përdorin simbolet kombëtare dhe të kthehen në atdhe nga jashtë kur të duan?!

         Udhëheqja e re e Kosovës është shembull i ndritshëm i një qeverie të pakorruptuar. Do të ishte gjë e mençur dhe e dobishme të mbështeten më seriozisht Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti në përpjekjet e tyre për demokraci dhe të përdoren ata si shembull për vendet e tjera të Ballkanit. Ata po e ndjekin me përkushtim rrugën e lavdishme paqësore të Presidentit legjendar Dr.Ibrahim Rugova.

         Republika e Kosovës është investim amerikan dhe interes evropian. Pse nuk po përpiqeni fare ta mbroni atë, kundër interesave ruse? Pse nuk po i ndaloni Aleksandar Vuçiqin dhe Edi Ramën, dy pushtetarët më të korruptuar dhe më të rrezikshëm, të cilët po përpiqen hapur ta vënë Ballkanin nën hegjemoninë ruse? Pse nuk po u bëni presion pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë? Ku është premtimi juaj për liberalizimin e vizave?

         Politika joefikase dhe e papranueshme evropiane në Ballkan (me pak përjashtime) nuk është befasi. Ajo e ka toleruar ose ia ka mundësuar Serbisë  kryerjen e 3 gjenocideve kundër popullit shqiptar (1887, 1912, 1945). Vetëm në gjenocidin e katërt në vitin 1999 Evropa ndërmori veprime kundër Serbisë, falë udhëheqjes amerikane të NATO-s.

         Si një shqiptaro-amerikan, që e do Amerikën me zemër, jam i befasuar dhe shumë i zhgënjyer kur shoh Amerikën duke e mbështetur politikën aktuale të dështuar evropiane në Ballkan. Ka shpresë se ambasadori i ri në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, do të mund të bëjë ndryshime dhe përmirësime të rëndësishme. Ai i. tha të gjitha fjalët e duhura në përkujtimin e masakrës së Reçakut, njëren nga shumë mizori serbe, për të cilat askush nuk është paraqitur para drejtësisë. Serbia ende nuk është konsideruar përgjegjëse për shkaktimin e katër luftërave të tmerrshme në Evropë.

         Gabimi më i madh që kanë bërë qeveritë e kaluara të korruptuaram e të shantazhuara të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë, ishte lejimi i Serbisë të luante rolin e “viktimës”. Akoma më keq është barazia e rreme në mes të drejtës së Kosovës për të ekzistuar dhe mbrojtur veten, dhe përpjekjeve të Serbisë për ta sulmuar dhe zhdukur atë. Shkatërrimi dhe armiqësia serbe është pranuar si normale, ndërsa shqiptarët duhet të jenë gjithmonë “burra të mirë” apo ndryshe kritikohen dhe ndëshkohen.

         E ashtuquajtura “praktikë e vendosur” e nënshtrimit ndaj kërkesave agresive armiqësore serbe ka marrë fund. Ka kaluar koha e politikanëve të korruptuar, shërbëtorë dhe të shitur të Kosovës. Qeveria e re është nga populli dhe për popullin, për vendin dhe për kombin. Shpresoj që të mendoni seriozisht për të mos i vënë ata në një pozitë të vështirë dhe veten tuaj në situata të pakëndshme, me kërkesa të padrejta dhe të pajustifikuara, të cilat ata nuk kanë mundësi t’i pranojnë.

         Populli i Kosovës është duke ecur me shpejtësi drejt demokracisë, të drejtave të njeriut, diversitetit dhe përfshirjes. Ata kurrë nuk do të pranojnë asnjë lloj dominimi nga Serbia kriminale shoviniste. Asnjë ndryshim kufijsh, asnjë asociacion serb “etnikisht të pastër” dhe asnjë marrje të manastireve ortodokse, të cilat janë thesari i Kosovës. Ata kanë bërë kompromise të dhimbshme, më shumë se sa duhet, me planin e Ahtisaarit. Të gjithë ju keni qenë pjesë e këtij kompromisi të paprecedencë për njohjen e pavarësisë.

         Problemi është në Serbi, jo në Kosovë. Ajo ende duhet të përqafojë vlerat demokratike dhe njerëzore të qytetërimit perëndimor. Vetëm presioni i fortë dhe i vërtetë ekonomik dhe diplomatik mbi Serbinë dhe dialogu real ndërmjet palëve të barabarta mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme. Kosova mund të jetojë pa njohjen e pavarësisë nga Serbia për aq kohë sa është e nevojshme.

         Populli shqiptar është një komb paqedashës me tolerancë të madhe ndaj racave, kombësive dhe feve të ndryshme. Ai i ka dhënë botës dy figura historike me përmasa globale. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, simbol i trimërisë dhe i luftës për liri i cili mbrojti Evropën nga pushtimi osman për 25 vjet. Si dhe Shënjtorja Nënë Tereza Bojaxhiu, simbol i dashurisë, mirësisë dhe paqes në mbarë botën.

         Populli i Kosovës do t’i rezistojë fuqishëm çdo përpjekjeje të Serbisë për t’a cënuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Republika e Kosovës e ka paguar shtrenjtë lirinë dhe pavarësinë e vet me sakrifica të shumta dhe gjakun e mijëra dëshmorëve dhe viktimave civile. Për te luftuan dhe e dhanë jetën komandanti legjendar Adem Jashari dhe shumë luftëtarë trima të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Ata kurrë nuk do të heqin dorë nga liria e tyre, shtëpitë e tyre dhe tokat e stërgjyshëve së tyre, në asnjë mënyrë dhe asnjë rrethanë.

Sinqerisht,

Agim Aliçkaj

PS. Kam dëshirë të ju informoj se unë nuk jam i lidhur në mënyrë direkte me Qeverinë e Kosovës apo ndonjë parti politike në Trojet shqiptare në Ballkan. Këto janë pikëpamjet dhe opinionet e mia të bazuara në fakte dhe realitet. Kjo ndjenjë ndahet dhe besohet gjerësisht nga shumica dërmuese e popullit shqiptar anekënd botës.