Fjala e plotë në New York, në 20 vjetorin e themelimit të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.
Nga Visar ZHITI
Të dashur bashkatdhetarë,
jo vetëm në dhé, por dhe në atdheun tjetër, në letërsi.
Bashkëgjuhas, bashkëkrijues!
Më vjen mirë që jam në festën tuaj të 20 vjetorit të themelimit të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, që u takuam së bashku dhe që po dëgjojmë njëri-tjetrin. Si njëri nga ju përgëzoj dhe unë themeluesit, me Presidentin e parë, poetin dhe profesorin universitar, Gjekë Marinaj.
Dhe presidentin e nderit, Adnan Mehmeti dhe kryetarin e tanishëm Mhill Velaj.
Përshëndes kryetarin e “Vatrës”, Elmi Berisha, kryetarin e Akademisë shqiptaro-amerikane të shkencave, Skënder Kodra, këshilltarin e Qytetit të New Yorkut, politikanin shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj, Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës, Frymëzim Isufaj.
A ka nga ambasada e Shqipërisë?
Përshëndes gjithë te pranishmit, që kanë ardhur nga shtete të ndryshme këtu, por dhe nga Kanadaja e nga Meksika.
Na bashkon krijimi, është i shenjtë, poezia e jetës. Ju mërguat nga dheu amë apo familjet tuaja për një jetë më të mirë, për endrrën e lirisë, me mundësi më të shumta për të shkruar dhe botuar dhe keni krijuar një familje tjetër letrare…
Letërsia shqipe sot është është më e begatë dhe më e pasur se kurrë, Unë besoj se letërsia jonë e pas viteve ’90 nga shekulli i kaluar e deri më tani, është më e mirë se ajo e mëparshmja, kur sundonte realizmi socialist dhe mbyllja e nuk pranonte tjetër letërsi, kur Shqipëria jonë bënte pjesë në perandorinë komuniste. Sepse letërsisë dhe arteve u duhet patjetër liria, ato janë vetë liri e bukur, u duhet hapja dhe llojshmëria dhe janë vetë hapësirë dhe larmi, u duhet dashuria dhe përkushtimi dhe janë vetë dashuri dhe përkushtim sublime, u duhet dhe familjariteti që ju po shpalosni tani si mundni…
Letërsia nuk është më e ndarë, me gjithë vështirësitë reale për të qenë e tillë,
Letërsitë tona nuk kanë kufij veçues e pengesa e tela me gjëmba në mes. por janë një e tërë, oneness, ose kështu duhet të jenë, bashkë, si prodhimet letrare në dy republikat shqiptare, në atë të Shqipërisë dhe të Kosovës e në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, shqiptarët, po kështu dhe në Mal të Zi e githkund ku ka shqiptarë në Ballkan dhe në diasporë, në Europë e në Amerikë e në Australi.
Letërsisë shqipe u përplotësua me atë që ishte e ndaluar dhe mungonte padrejtëisht, letërsia e të ikurve, e atyre që themeluan dhe bënë traditë, por regjimi nuk i donte.
Ka ndodhur dhe mrekullia, ka ardhur dhe një letërsi tjetër, ajo e burgjeve dhe internimet, siç e kemi quajtur për arsye studimi, se ka vetëm letërsi dhe jo tjetër, që bota ndonjëherë e përkufizon si “letërsi sirtari”, por shpesh shkrimtarët shqiptarë as sirtarë nuk kanë patur, as studio, por qelitë e dënimeve, as penë, por pranga, as bojë, por gjak. Kjo letërsi mbarti të vërtetën dhe moralin, që realizmi socialist nuk i lejonte.
“Një art i vërtetë është dokument, është dëshmi, – thotë Franc Kafka. Kështu është letërsia jonë e burgjeve, dokument dhe dëshmi, shpalosur artistikisht. Dhe nuk erdhi të zëvendësojë letërsinë shqipe, siç u trembën, por të sjelle vetveten.
Dhe po bëhet gjithnjë e më e pranishme letërsia e diasporës, zbulime prej saj e prodhimet e reja, ku është ruajtur gjuha dhe identiteti, shpirti kombëtar, duke qenë dhe mbetur një urë e gjallë mes atdheut dhe botës. Pra duke shtuar botë…
DIASPORA E LETRAVE.
NË EUROPË:
Rilindasit tanë të mëdhenj ishin mërgimtarë. Naimi ynë në Orient dhe De Rada ynë në Oksident. Dhe kështu mjaft të tjerë. Na ndoqi ky fat.
Shqiptarët e letrave i gjen kudo nëpër kontinetin e tyre, në Europë. Le të kujtojmë Italinë, ku lulëzuan arbëreshët, po kështu vazhdoi dhe diaspora më e vonë, e ikur nga vendosja e diktaturës. U shqua emigrant politik, shkrimtari themeltar, Ernest Koliqi.
Sot në Itali jetojnë dhe shkruajnë shumë shqiptarë, me sukses madje, lejomëni të përmend nga ata që di e njoh, bashkëqytetarët e mi, Jozef Radi, poet e përkthyes, që doli nga internimet, Shpend Sollaku Noé, që lëvron poezinë dhe prozën, Gëzim Hajdari, poet bilinguist, Miltiadh Davidhi, etj. Romancierja Anilda Ibrahimi, kineasti Roland Sejko, sociologu Rando Devole, etj.
Në Gjermani do të ishte themeluesi tjetër, poeti dhe shkrimtari Martin Camaj, e do shkonin gjenerata të reja, sidomos nga Kosova. Edhe në Greqi janë shumë dhe me arritje, romncieri Thans Medi, Miho Gjini, bashkëvuajtës im, poetët Petro Çerkezi, Luan Xhuli, Hiqmet Meçaj, Iljaz Bobaj etj.
Në Francë dy miqtë e mi, Dashnor Kokonozi, Luan Rama, ndërsa me babanë e shkrimtares Ornela Vorpsi kam qenë në burg.
Në Belgjikë është dhe ai që doli gjallë nga ferri, Lek Pervizi dhe breza të rinj. Kujtoj Shqiponja Duro. Më tej, në Spanjë, është romancieri dhe përkthyesi, mik dhe bashkëvuajtës, shkrimtari Bashkim Shehu.
Në Zvicër Elvira Dones, po aty janë dhe Skënder Buçpapaj me Elidën e tij, me plot libra dhe me Voal-in kulturor dhe informative për të gjithë. Po kështu në Austri, në Suedi, në Vendet Nordike.
Në Mbretërinë e Bashkuar, që nga i ikuri, historiani dhe përkthyesi themeltar, Tajar Zvalani, dhe sot studiuesi i shenjtes Nënë Tereza, Gëzim Alpion, po dhe Fatmir Terziu, me “Fjalën e lire” të tij, edhe autorja e librit që bëri bujë këto ditë, “Të lirë”, Lea Ypi, etj, dhe më tutje andej deri në Australi dhe këtej oqeanit, në Argjentinë, në Kanada, miku im, shkrimtari Faruk Myrtaj, poeti nga Kosova, që njoha këtu, Shani Pnishi, sigurisht e të tjerë, në Meksikë është poeti i njohur Xhevdet Bajraj.
Thashë pak, sa për t;e treguar që kemi, ndërkaq në Rumani studiuesi dhe kritiku letrar Luan Topçiu sapo ka botuar një Histori të gjerë të Letërsisë Shqipe, që nga gjeneza e në ditët tona, ku zë vend të ndjeshëm letërsia e diasporës, ç’është histori e saj dhe ç’është letërsi aktuale..
NË SHBA:
Hijerëndë dhe me rëndësi është diaspora shqiptarëve në SHBA, letërsia e saj, që nisi me korifejtë, Faik Bej Konica (Domenik) dhe Imzot Fan Noli, të cilët krijuan dhe një “Vatër” shekullore shqiptare me “Diellin” shqiptar shekullor.
Këtu do të vinin pinolli i Frashërllinjve, shkrimtari Mit’hat Frashëri, emblema e intelektualit patriot, po edhe Stavro Skëndi, bashkëpunëtor i tij, gjuhëtar dhe historian, të cilët përndiqeshin nga regjimi komunist në atdhe dhe vdiqën të dy në Nju Jork.
Erdhi dhe filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, i përndjekur që nga lufta, dhe historian Ago Agaj, i dënuar me vdekje në atdhe, plot të tjerë dhe së fundmi është botuar memuaristika e Kol Bibë Mirakaj.
Për në SHBA do të arratisej, pasi të dilte nga burgu, poeti, kritiku letrar, filozofi Arshi Pipa, duke marrë me vete dhe “Librin e Burgut”, ato sonete infernale që i botoi në 1959 në Romë, me rëndësi të jashtzakonshme. Pas tij do vinte, edhe ai i arratisur me të dalë nga burgu, shkrimtari e publicist Sami Repishti. Do të arratisej dhe shkrimtari, me baba të pushkatuar, Bilal Xhaferri, poeti i ofshamës çame.
Për këtu u arratis, më pëlqen të them, me kalin e tij metaforik, me flatra, me Pegasin, poeti Gjekë Marinaj.
Këtu, do të thosha, se lëvrohet një letërsi dhe nga aradhët e reja e brezit të pas ‘90.
Rëndësi të parë, sipas meje, këtu ka dhe ruajtja e gjuhës amë, jo vetëm pse është jona, por gjuhën shqipe shkencëtarët e gjuhësisë e vendosin në 10 – 11 gjuhët më të rëndësihme në botë, antike, rrënjëse, pra është pasuri, jo vetëm jona, por ne jemi të parët që e kemi për detyrë ta ruajmë e ta gjallërojmë.
Gjuha është atdhe.
Bëhet letërsi këtu, shtoj me ngazëllim, dhe s’ka rëndësi në janë a jo antarë të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.
Patjetër s’mund të rri pa përmendur bashkëvuajtësit e mi, miqtë e burgut, këtu nisën romanet e tyre Dine Dine, Hasan Bajo, shkruajnë tregime Memisha Gjonzeneli, kujtimet infernale Kaso Hoxha, sintezat e mendimit Lekë Mirakaj. Do të vazhdonte poezitë e burgut Pëllumb Lamaj, edhe Ilir Spata, edhe i përndjkeuri, i biri i Isuf Luzajt, Dalani.
Ndërkaq edhe krahu tjetër, komandantë të burgjeve apo oficerë të Sigurismit të shtetit do të shkruanin kujtimet e tyre. etj.
Këtu erdhën shkrimtarë të njohur si Naum Prifti e Betim Muço e do të vazhdonin të shkruanin suksesshëm shkrimtarë si Roland Gjoza, Ardian Vehbiu, eseist e gjuhëtar modern ndërkohë, historiani dhe monografisti i rëndësishëm Ilir Ikonomi, studiuesi i arkivave dhe historian Agron Alibali, etj.
Romane do të shkruanin Albana Lifshing, Mirela Kanini, etj, poezi Ilirjana Sulkuqi, Rajmonda Moisiu, Bajame Hoxha – Çeliku, Yllka Filipi, tregime në dy kohë e në dy vendet tona Muç Xhepa, kritikë letrare e studime do të ndiqja nga Mërgim Korça, Minella Aleksi, Gëzim Basha, Ernest Nasto, etj, e gazetarí nga Alfons Grishaj, Klajd Kapinova, Valentin Lumaj, Qemal Agaj, Mertita McCorm, etj, etj.
Nërkaq ka autorë që krahas shqipes, shkruajnë dhe në gjuhën e madhe angleze, duke rrokur një lexues të madh. Dua të kujtoj shkrimatren dhe përkthyesen e talentuar Ani Gjika, e vlerësuar dhe me çmime, bijë e studiuesit Thanas Gjika dhe e poetes Julia Gjika, etj, etj.
I sigurtë që ka dhe të tjerë, ndjesë që kam përmenduar aq emra.
Pas shoqatave, instituteve, akademive kulturore shqiptare këtu, arritje do të jetë Katedra e parë e Albanalogjisë në Universitetin DePaul në Çicago, ngritjen e së cilës e la në testament Hidai Bregu, një shëmbull i patriotit, i atdhetarit të kulturës, të gjuhës amë dhe letrave shqipe, drejtimin e së cilës do ta merrte shkrimtari Gazmend Kapllani.
Në Universitetin e Michigan-it poeti dhe studiuesi i ri, përkthyesi Lisandri Kola do të arrijë të japë leksione të letërsisë shqipe të ekzilit, një aspekt me interes, i gjerë dhe përfaqësues.
Institucione mbeten dhe gazeta “Dielli”, që me Sokol Pajon tani, në vazhdim të gazetarit Dalip Greca, po edhe gazeta “Illyria” e Vehbi Bajramit, me gazetar Ruben Avxhiu, po i lënë më hapësirë letërsisë dhe kritikës letrare, ndërkaq që mbajnë të ndezur gjuhën e shkruar.
Ndërsa “Zëri i Amerikës”, shqip, me gazetarët e saj profesionistë, këtu kemi njërin nga drejtuesit e dikurshëm, Fran Shkreli, dhe tani me drejtorin e euro-azisë, Elez Biberaj, evulojnë po aq sa mendimin politike, edhe informacionin rrethanor, në gjuhën e folur amë. Po kështu dhe televione lokale e gazeta shoqatash të përkohshme, etj, librat shkollorë, mësuesit e shkollat në gjuhën shqipe, qendrat kulturore, vendet e kulteve, kishat me meshat shqip, xhamitë e teqeja e Detroitit, ku mblidhen shqiptarë, janë një ndihmesë e pazëvendësueshme për bashkësi, gjuhë dhe identitet.
Të zhvillohet teatri, sidomos me të rinjtë. Filmi shqiptar do të ndihmonte shumë. Përurimi i tij, ja dhe në këtë skenë, këtu kemi dhe regjisorin Bujar Alimani, me shumë çmime në Europë, të bashkohemi për të parë dhe diskutuar një film të tij.
Lipset të bëhet dhe ajo që përmbushi studiuesi Luan Topçiu në Rumani ose të botohet e përkthyer ajo histori e letërsisë, edhe shqip edhe anglisht. Fillon nga njohja që të shkohet dhe në një reviste serioze e me nivel artistik. Kushtet janë. Të shfrytëzohen mundësitë.
Është i nevojshëm autoriteti i shkrimtarit. Konician dhe nolian. Që të kemi zhvillime të mëtejshme të letrave tona, por dhe përtej lokales, krah për krah me letërsinë e madhe amerikane, i historisë së këtyre zhvillimeve të përbashkëta në kohë.
Edhe pse shkrimtari nuk mendohet më si misionar dhe vepra e tij është një punë tejet vetanake, libri i tij, letër apo elektronik, është pasuri e të gjithëve me ndikim të jashtzakonshëm për të qenë njeri i kulturuar, me identitet. Librat na sigurojnë kujtesën e kohëve, vizionet e ardhmërisë, na japin liri të brendshme, hapësira të reja, emocionet e bukura, ato që s’mund t’i kemi dot: jetët e tjera.
Krijimi është fëmijë ose libër.
Nuk e di sa mund të bëjë një shoqatë shkrimtarësh për këto, edhe pse shoqërizimit, qoftë dhe si shkrimtar, nuk i smangesh dot. Përkundrazi. Ne jemi bashkime vetmish. Por duhen mbështetur vepra dhe autorë duke i kuptuar egot dhe lavditë, mospërmbushjet dhe zhurmën, por duhet ndihmuar vazhdimi, prej të cilit do të dalë dhe arritja.
Preka paksa çështje. Se shkrimtari është dhe misionar. Sidomos shqiptaro-amerikan.