Lezhë: Shtatë ish-zyrtarë të IKMT dhe një biznesmen do të gjykohen për ndërtimet pa leje në Lagunën e Patokut

Tiranë, 2 dhjetor 2024 – Prokuroria e Lezhës njoftoi se kishte mbyllur hetimet dhe se dërgoi për gjykim dosjen penale për ndërtimet pa leje në zonën e Patokut në Kurbin. Prokuroria bëri me dije se ka marrë të pandehur 8 përsona mes të cilëve dhe ish-drejtorin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Flori Gjini dhe ish-kryeinspektorin vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kurbin Jetmir Mxhika.

Ndaj tyre dhe 5 zyrtarëve të tjerë konkretisht Xhevalin Fufi, Ndoc Pjetri, Shan Preçi, Rivelino Ismajlaj dhe Artur Përdoda është ngritur akuza e “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, pasi kanë lejuar ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Patokut.

Ndërsa i pandehur për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm” është marrë vetëm biznesmeni lokal Nikoll Frangaj. Prokuroria njoftoi pushimin e hetimeve për 8 persona të tjerë, që po hetoheshin për ndërtim pa leje.

Hetimet janë kryer nga prokurori Arben Nika dhe gjyqtari Lirim Bulica do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim themeli në Gjykatën e Lezhës.

Procedimi penal në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e Patokut në Kurbin u regjistrua në vitin 2023, ku një i moshuar që po hetohej për shtesë pa leje i dha indicie prokurorisë për një sërë ndërtimesh pa leje në zonën e mbrojtur të Lagunës së Patokut në Kurbin.

(Reporter.al)