Libani kërkon ndihmën e Iranit për largimin e Hezbollahut nga kufiri me Izraelin

Bejrut, 15 nëntor 2024 – Kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati i kërkoi të premten Iranit që të ndihmonte në sigurimin e një armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hezbollahut. Ai u duk se po i kërkonte Teheranin që të bindte grupin militant për të rënë dakord për një marrëveshje që mund të çonte në tërheqjen e Hezbollahut nga kufiri Izrael-Liban.

Ndërsa një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit Ali Khamenei vizitoi Libanin për bisedime, zyrtarët libanezë thanë se një propozim amerikan për një marrëveshje armëpushimi i ishte përcjellë Hezbollahut, me synimin për t’i dhënë fund 13 muajve shkëmbimi zjarri mes Izraelit dhe militantëve të armatosur.

Irani është një mbështetës kryesor i Hezbollahut dhe për dekada ka financuar dhe armatosur grupin militant libanez. Hezbollahu filloi të gjuante raketa në veri të Izraelit një ditë pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023. Sulmi u bë shkak për nisjen e luftës në Gazë.

Që nga fundi i shtatorit, Izraeli përshkallëzoi në mënyrë dramatike bombardimet ndaj Libanit, duke u zotuar se do ta gjymtonte Hezbollahun dhe do t’i jepte fund sulmeve të tij ndaj Izraelit. Më shumë se 3,400 persona janë vrarë në Liban nga sulmet izraele – 80% e të cilëve muajin e kaluar – sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Sipas mediave libaneze, ambasadorja amerikane Lisa Johnson i ka dorëzuar një propozim për një marrëveshjeje për armëpushim kryetarit të parlamentit libanez Nabih Berri, i cili ka udhëhequr bisedimet duke përfaqësuar Hezbollahun.

Një zyrtar libanez konfirmoi se Bejruti ka marrë një kopje të një projekt-propozimit të bazuar në rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës Izrael-Hezbollah, në verën e vitit 2006.

Një politikan libanez që foli në kushte anonimiteti tha se zyrtarët e Hezbollahut e kishin marrë propozimin dhe se po shqyrtonin atë.

(Radio Evropa e Lirë)