Liberalizimi i vizave amerikane pjesë e fushatës zgjedhore në Shqipëri

Nga Tirana, Dritan Malaj

 

Partia Demokratike e ka përfshirë liberalizimin e regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në listën e premtimeve elektorale për marrjen e mandatit të tretë qeverisës.

Gjatë mitingut prezantues të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Durrësit, kreu i mazhorancës Sali Berisha dha premtimin duke u shprehur se “me reforma të thella ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën”.

Një deklaratë e cila hasi menjëherë në reagimet e partive opozitare që e ironizuan kryeministrin duke nënvizuar se tanimë marrëdhëniet e tija me diplomacinë e përtej atlantikut janë krisur.

”SHBA- ia ka hequr vizën Sali Berishës dhe Sali Berisha nuk mund t’u premtojë dot shqiptarëve heqjen e regjimit të vizave me SHBA-në”, deklaroi Ditmir Bushati, kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian dhe njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste. Ndërkaq, Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale dhe ish-ministër i Jashtëm për shumë vjet sheh deklarimin e Berishës vetëm një premtim elektoral.

Në një sqarim të sajin dhënë medias, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë sqaroi se programi i Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program) sanksionohet me ligj dhe ekzistojnë një numër kërkesash statutore që duhen plotësuar përpara se një vend të merret në shqyrtim për anëtarësi në VËP.

“Ligji aktual kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre përqind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera. Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 përqind”, thuhet në sqarimin e ambasadës.

Duke ju përgjigjur interesit publik në këtë debat të hapur, kryeministri në një takim të mëvonshëm nënvizoi se ambasada ka thënë një të vërtetë dhe se qeveria shqiptare nuk do të kërkojë favore që nuk i përkasin.

“As që bëhet fjalë që unë të pretendoj të na bëjnë favor tjetër, përveç asaj që na takon. E para, do të kërkojmë edhe ndihmë për të plotësuar kushtet dhe do të na ndihmoni, sepse është një marrëdhënie më e veçantë, nuk them se është speciale, por miqësore. Shtetet e Bashkuara kanë një vullnet për të na ndihmuar. Ne do të punojmë, do të marrim listën e kritereve”, u shpreh Berisha.

Në një intervistë televizive, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu theksoi se “të gjithë ne qeverinë e Shteteve të Bashkuara ishim paksa të surprizuar të dëgjonim diçka të tillë. Sërish, është një fushatë zgjedhore, ndaj ne nuk duhet të jemi kaq të surprizuar nga këto gjëra. Përgjigja jonë ka qenë e qartë dhe teknike”.

Që prej dhjetorit të vitit 2010, Shqipëria ju bashkua listës së vendeve që mund të udhëtojnë drejt shteteve të hapësirës Shengen pa patur nevojë për paisje me një vizë. Një vendim që është konsideruar deri më tani si një nga arritjet e qeverisjes së djathtë të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.