“Po pres të më njoftojnë për të shkuar për ta marrë pasaportën e Kosovës”, thotë Nenadi nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të udhëtojë pa regjim vizash.
Vendimin për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës e mori pasi nga mediat dëgjoi se qytetarët e Kosovës do të kenë me siguri liberalizim vizash.
Nenadi dëshiron të udhëtojë, sepse, siç thotë ai, ka shumë të afërm dhe miq në vendet perëndimore.
“Nuk kam mundur, sepse nuk kam dashur… Si ta them pa u treguar i vrazhdë… jam shtypur me atë pasaportën e qendrës së koordinimit që është lëshuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, një bashkëqytetar i tij, Zorani, thotë se ai nuk e njeh “pasaportën e Kosovës”.
“Ajo që kanë marrë ata është e turpshme. Nuk do ta merrja kurrë pasaportën e tyre, pra atë të Kosovës, edhe me çmimin që nuk dal kurrë nga vendi”, thotë Zorani.
Parlamenti Evropian ka miratuar më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, në bazë të të cilët qytetarët e vendit do të mund të udhëtojnë lirshëm në 27 shtete të Evropës, që përbëjnë zonën Schengen.
Një ditë më vonë, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave është nënshkruar po në Parlamentin Evropian.
Vendimi për lëvizje të lirë pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, por regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për ata qytetarë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për këta qytetarë nuk ka vlejtur kurrë as liberalizimi i vizave për Serbinë, i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Thijs Reuten, u pyet të mërkurën nga gazetarët në Strasburg nëse liberalizimin e vizave do të mund ta gëzojnë edhe serbët që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.
“[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizim vizash, tha se të gjithë shtetasit serbë të Kosovës, që ende nuk janë të pajisur me pasaporta kosovare, do të kenë afat prej tetë muajsh t’i marrin ato, para se vendimi për vizat të hyjë në fuqi.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për tre muajt e parë të vitit 2023 tregojnë se numri i qytetarëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës, të cilët po pajisen me pasaportë të Kosovës, është në rritje. Në këtë periudhë me pasaporta të Kosovës janë pajisur 264 qytetarë serbë nga katër komunat veriore.
E ndikuar nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq) kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.
“Duhet t’i besojmë vendit tonë, Serbisë”
Zorani, i cili jeton në Mitrovicë të Veriut, beson se do të gjendet një zgjidhje edhe për pasaportat e lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.
“Unë mendoj se do të vijë zgjidhja, njerëzit le të jenë të durueshëm, ne duhet të besojmë në vendin tonë – Serbinë”, shprehet ai.
Darko, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut, thotë se nuk është i gatshëm ta nxjerrë pasaportën e Kosovës, por nuk pret as nga Serbia ta zgjidhë çështjen e pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
“Gjithçka është gënjeshtër. Madje, edhe shteti ynë, Serbia, nuk është shumë i sjellshëm me ne. Edhe nënë, edhe njerkë, kryesisht njerkë”, thotë Darko.
Ai thotë se për këto arsye nuk udhëton.
“Ne nuk duam të jemi qytetarë të kësaj ‘kuazi-republike’”, thotë ai.
Ndërksa Bojan Milletiq thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë për çështjen e pasaportës.
“Nuk kam ndonjë qëndrim për këtë, por do të shoh, do të mendoj, pse jo”, shprehet ai.
Zoran Millenkoviq thotë se ai, me siguri, nuk do ta marrë pasaportën e Kosovës. Ai pret zgjidhje nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që zhvillohen në Bruksel.
“Do të bëhet diçka që ne serbët ta kemi atë pasaportë serbe, ndoshta. Nuk e di tani. Gjithçka varet se si do të na trajtojnë ata nga Serbia”, thotë ai.
Edhe pse vetë nuk dëshiron të ketë pasaportë të Kosovës, ai beson se njerëzit gjithnjë e më shumë do të fillojnë të marrin dokumente udhëtimi që i lëshon Kosova.
“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me letërnjoftimet. ‘Duam t’i nxjerrim, nuk duam t’i nxjerrim’. Në fund i kanë nxjerrë të gjithë. 90 për qind po, nëse jo më shumë”, thotë Millenkoviq.
Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.
Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë pajisen me pasaportat që i lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Poseduesit e këtyre pasaportave janë përjashtuar nga lëvizja pa viza për shtetasit e Serbisë.
Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar për vete liberalizimin e vizave.
Para kësaj, shtetasit serbë me banim në Kosovë janë pajisur me pasaportë në Drejtoritë e Policisë së Serbisë për Kosovë, të cilat ishin vendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.
Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”.
(Maja Fiqoviq, REL)