Librat e Dalip Grecës në bibliotekën e shoqatës “Bijtë e shqipes”

Një takim i ngrohtë me familjen e Dalip Grecës në Philadelphia

Shkrimi: dr. Sadik Elshani
Foto: Milot Rukiqi

 

 

 Ditën e diel, më 6 prill, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u organizua një takim i ngrohtë me familjen e gazetarit e publicistit, ish-editorit të “Diellit”, z. Dalip Greca: bashkëshkëshorten Xhemilen, vajzën, Elisabeten, djalin, Dorjanin dhe dhendrin, Eduard Shehu.

Më 16 maj të vitit 2022 u nda papritmas e parakohshëm Dalip Greca, gazetar e publicist, bashkëshort e prind i devotshëm. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë shqiptare, sidomos atë të diasporës shqiptaro – amerikane, si redaktor i gazetës “Illyria” dhe më vonë kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i “Vatrës”. Dalipi e mori drejtimin e “Diellit” në kohën kur “Dielli” herë botohej e herë nuk botohej, madje pati edhe një ndërprerje dyvjeçare. “Dielli” që nga viti i themelimit,1909, e gjer më sot ka patur mbi 20 editorë (redaktorë përgjegjës, kryeredaktorë), secili e ka marrë drejtimin e gazetës në çaste kritike, secili është shquar për diçka, dhe Dalipi shquhet si njëri nga editorët më jetëgjatë të “Diellit” (afro 12 vite), si editor që e stabilizoi botimin, krijoi një qëndrushmëri dhe e bëri gazetë të përditshme Online, në përputhje me kërkesat bashkëkohore gazetareske. Thënë shkurt, e ringjalli “Diellin”. Dalipi u bë edhe një kujdestar e historian i “Diellit” dhe “Vatrës”, tërë kohën i pranishëm në selinë e “Vatrës”, duke pritur vazhdimisht vizitorë e duke organizuar veprimtari e tubime të ndryshme. Prandaj, ikja e tij e parakohshme ishte një humbje e madhe për familjen, gazetarinë dhe komunitetin tonë shqiptaro – amerikan.

Dalipi ishte një përkrahës e mik i shoqatës sonë, i cili e vlerësonte lart punën tonë dhe me përkushtim e besnikëri i pasqyronte veprimtaritë tona ne faqet e gazetës “Illyria” e më vonë në “Dielli”. Kishim kënaqësinë që herëpashere ta kishim edhe në mesin tonë, të këmbenim ide, mendime e vlerësime për çështje të ndryshme shoqërore, kulturore, atdhetare, zhvillimet politike e ngjarjet në trojet shqiptare e komunitetin tonë.

Para se të ndërronte jetë Dalipi kishte bërë gati dy libra, por nuk kishte arritur t’i botonte në të gjallë të tij, por ato u botuan më vonë nën përkujdesjen e “Diellit” dhe “Vatrës”. Libri “Editorial”, përgatitur nga editori i tanishëm i “Dielli”, dr. Sokol Paja, pasqyron veprimtarinë publicistike të Dalip Grecës, shkrimet e zgjedhura që trajtojnë tema të ndryshme. Ndërsa libri “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori”, përgatitur nga z. Idriz Lamaj, përshkruan dhe analizon veprimtaritë e editorëve të “Diellit”, por nuk mungojnë as ngjarjet e rëndësishme nga historia e “Vatrës”. Promovimi i këtyre dy librave është bërë dy vite më parë nën përkujdesjen e “Vatrës” dhe familjes Greca.

Duke patur parasysh lidhjet e forta të shoqatës sonë me Dalipin dhe organizimin tonë të mirë, bibliotekën e pasur, familja kishte kohë që kishte shprehur dëshirën që edhe librat e Dalipit të bëhen pjesë e saj. Dhe ja, në rrethana të tilla u organizua edhe ky takim i ngrohtë e mjaft i përzemërt. Familja i dhuroi shoqatës dhjetëra libra të titujve të përmendur më lart dhe disa libra të tjerë. Ishte ky një rast i përshtatshëm për një bashkëbisedim me familjen e Dalipit dhe veprimtarët e shoqatës, të cilët me vite të tëra kishin bashkëpunuar me të. Kuptohet, ato që u cekën më lart në këtë shkrim ishin edhe disa nga temat e këtij bashkëbisedimi. Takimi u zhvillua në dhomën me oxhak të godinës së shoqatës, që ofronte një atmosferë më të përzemërt, më intim – si ato ndejat rreth vatrës. Ky takim u xhirua me mjaft profesionalizëm edhe nga televizioni “Kultura shqiptare”, drejtuar nga çifti, Mimoza e Adem Belliu. Moderimin e bëri zonja Mimoza Belliu, e cila si hyrje të këtij takimi bëri një pasqyrë të shkurtër për jetën dhe veprën e Dalipit. Ajo vlerësoi lart punën dhe ndihmesën e Dalipit, si gazetar, publicist e veprimtar i komunitetit. Zonja Belliu falenderoi familjen Greca dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” që mundësuan organizimin e këtij takimi modest, por mjaft domethënës.

Kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku falenderoi familjen Greca për dhurimin e këtyre librave, vlerësoi personalitetin e Dalip Grecës dhe punën e tij me plot përkushtim si gazetar e publicist. Ai i njoftoi të pranishmit për misionin e shoqatës sonë, veprimtaritë e shumta që ajo organizon, mbarëvajtjen e shkollës shqipe. Pastaj mikrofoni kalonte dorë më dorë. Zoti Llazar Vero, gazetar e publicist veteran, ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” rrëfeu për njohjen e hershme që ai kishte patur me Dalipin kur ai ende ishte në Lushnjë. Ai e vlerësoi lart Dalipin si njeri e si gazetar. Z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve tregoi për njohjen e tij me Dalipin, përshtypjet e tij për personalitetin dhe karakterin, mirësinë e tij njerëzore, si dhe bashkëpunimin që ai ka patur me Dalipin si autor i dhjetëra shkrimeve për veprimtaritë e shoqatës, ngjarjet dhe figurat tona historike, çështjet e ndryshme kombëtare. Zoti Elshani e vlerësoi lart rolin e Dalipit si editor i “Diellit”, duke u shprehur: “Dalipi e ringjalli “Diellin””. Me mjaft fjalë dashamirëse e vlerësuan figurën e Dalip Grecës edhe diskutuesit tjerë: znj. Julida, Cepele, sekretare e shoqatës, z. Vangjel Hagjistasa, veprimtar i shoqatës, z. Bujar Gjoka, ish-kryetar i shoqatës, z. Bujar Çela, anëtar i Këshillit Drejtues dhe veprimtari i shoqatës, z. Milot Rukiqi. Takimi i sotëm përkonte edhe me një veprimtari që shoqata do ta zhvillonte pak çaste me vonë, një bashkëbisedim me shkrimtarin Gaqo Bushaka me nxënësit e shkollës sonë, prandaj edhe shkrimtari Gaqo Bushaka ishte i pranishëm në këtë takim. Edhe ai i tha disa fjalë felenderimi e mirenjohjeje për veprën e Dalip Grecës. Në emër të familjes Greca, mjaft i emocionuar përshëndeti djali i Dalipit, Dorjani, i cili falenderoi të pranishmit dhe shoqaten, për fjalet e mira, mikpritjen e ngrohtë, si dhe respektin e vlerësimet e larta për babain e tij të dashur.

Ky takim i përzemërt e modest ishte edhe një homazh, nderim për Dalip Grecën në trevjetorin e ndarjes së tij nga kjo botë – shprehje e respektit të shoqatës për mikun e saj. Dalipi u largua nga mesi ynë, por këto libra, shkrimet e shumta publicistike do ta mbajnë atë gjithmonë pranë nesh – miqësia, mirësia e fisnikëria e tij do të mbesin të ngulitura në kujtesën tonnë. Janë veprat ato që e bëjnë njeriun të pavdekshëm. Dalipi u prehtë në paqe e “Dielli” ndriçoftë përherë në botën shqiptare!

Philadelphia, më 7 prill 2025

Comment

*