Nga Ruben Avxhiu
Një libër që pritet të dalë së shpejti në botim, në SHBA, zbulon konflikte e përplasje mes ekipeve të Presidentit Joe Biden dhe zëvendëses së tij Kamala Harris.
Konfliktet mes ekipeve të dy figurave kryesore të Shtëpisë së Bardhë nuk janë ndonjë gjë e re në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, që kur roli i zv-presidentit filloi të merrte më shumë peshë, por ka dy arsye pse çfarëdo konflikti mes Biden dhe Harris është më i veçantë. Së pari, asnjë dyshe presidenciale nuk i ka dhënë ndonjëherë kaq vizibilitet numrit dy. Kjo është prezantuar si Administrata Biden-Harris, jo thjesht si Administrata Biden si ka qenë gjithmonë tradita amerikane. Së dyti, Amerika nuk ka pasur ndonjë president më të moshuar se Biden dhe Harris është zgjedhur si njeriu që Biden do të preferonte që ta zëvendësonte aty ku nuk mundet të veprojë e madje edhe në Zyrën Ovale nëse është nevoja.
Kështu që libri “Kjo nuk do të kalojë: Trump, Biden, dhe beteja për të ardhmen e Amerikës” nga gazetarët Jonathan Martin dhe Alex Burns e “The New York Times” do të pritet me një farë kurioziteti.
Në administratën e kaluar, libri i parë që solli tronditje në Shtëpinë e Bardhë dhe kuriozitet të gjerë në treg ishte “Zjarri dhe Furia” nga Michael Wolff. Libri solli rrëzimin nga posti të superkëshilltarit të Presidentit Donald Trump, Steve Bannon.
Sipas librit, Kate Bedingfled, drejtoresha e komunikimit e Presidentit Biden, jo vetëm që u lodh me ankesat se Shtëpia e Bardhë po e keqpërdorte Harrisin, por kaloi në sulm duke fajësuar vetë zv-presidenten.
Shkruhet në libër: “Privatisht, Bedingfeld ka vënë në dukje se kjo nuk është hera e parë në karrierën politike të Harrisit që ajo pritet të ngrihet në qiell por mbetet në tokë: Zyra e saj në Senat ka qenë rrëmujë kurse fushata e saj presidenciale një fiasko. Mbase, sugjeroi ajo, zv-presidentes nuk ia ka fajin stafi”.
E pyetur nga portali i njohur, “Politico”, Bedingfield e hodhi poshtë këtë histori. “Fakti që asnjë nga autorët nuk më thirri për të konfirmuar këtë pretendim mjafton për ta kuptuar se çfarë libri është”, tha ajo në një mesazh me email. “Zv-Presidentja Harris është një forcë në këtë administratë dhe kam respektin më të madh për punën që bën çdo ditë për ta çuar vendin përpara”.
“Politico” thotë se Administrata Biden nuk para ka rrjedhur sekrete për zhvillimet e brendshme, mirëpo kjo filloi të ndryshojë pas udhëtimit të Harrisit në Guatemalë për t’u marrë me emigracionin. Papritur histori për probleme në zyrën e saj filluan të dalin në media.
Ndërkohë Kamala Harris është gjithnjë e më e pakënaqur me rolin që po luan. Një senator që ka miqësi me të ka thënë se niveli i frustrimit të saj ka mbërritur në stratosferë dhe se rënia politike e Harrisit është një “tragjedi greke që po shpaloset dalëngadalë”.
“Numrat e simpatisë për të [në opinionin public] janë më të ulëta se të Bidenit përveç se të demokratëve të tjerë që mund të kandidojnë në 2024 nëse Biden heq dorë nga rizgjedhja”, thuhet në libër.
Sipas librit, Biden dhe Harris janë miq por jo të ngushtë dhe se drekat e tyre të përjavshme nuk kanë “thellësi të vërtetë intimiteti personal e politik”.
Harris nuk po merr shumë rol në këtë administratë edhe sepse nuk ka dashur vetë. Për shembull e mbaj mend kur nga Administrata Biden u tha se Harris do të merrte në dorë çështjen e emigracionit, kjo u mohua pak ditë më vonë nga zyra e zv-presidentes, kur një dallgë akoma edhe më e madhe emigrantësh u shfaq në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.
Harris ndoshta druhet se faji për ndonjë nga dështimet e mëdha të Administratës Biden mund t’i mbetet asaj në derë.
“Politico” thotë se në libër Harris del se ka refuzuar rol drejtues në disa tema me rëndësi duke preferuar një angazhim më të përgjithshëm. “Sidomos nuk ka dashur që ta kufizojnë te disa tema të lidhura kryesisht me gratë dhe amerikanët e zinj”.
Ajo kërkoi që të drejtonte përpjekjen e administratës për të çimentuar votimin si një e drejtë federale, mirëpo kur nisma ngeci në Kongres, Harris ia la fajin Presidentit Biden që sipas saj nuk kishte mbështetur ndryshimin e rregullave sipas të cilave votohet në Senat.
Libri zbulon gjithashtu se Zonja e Parë, Jill Biden nuk e ka dashur Kamala Harrisin për zëvendëse për shkak të sulmeve të ashpra personale të saj ndaj të shoqit në fushatë. Harris e akuzoi Bidenin për racizëm dhe tha se u besonte akuzave për përdhunim.
Një zëdhënës i Zonjës së Parë refuzoi të komentonte për librin.