Prishtinë, 15 shtator 2021 – Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, u paraqit libri i Akademik Rexhep Ismajlit ”Për historinë e gjuhës shqipe”, i botuar nga kjo akademi, këtë verë.
Ky libër, fryt i studimeve dhe hulumtimeve 50 vjeçare të profesor Ismajlit në fushë të historisë së gjuhës shqipe, si edhe të gjuhësisë së përgjithshme, gjuhësisë krahasuese, dialektologjisë e fushave të tjera, u vlerësua si një vepër që do të jetë pikë reference për studiues të këtyre fushave në të ardhmen.
Akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në fjalën e tij të rastit, e vlerësoi akademik Ismajlin si studiues elitar në fushë të albanologjisë dhe në fusha të tjera të gjuhësisë.
“Akademik Rexhep Ismajli, studiues e pedagog me një përvojë pothuaj 50 vjeçare […], me autoritetin e studiuesit elitar të gjuhës shqipe, të historisë së saj, gjuhësisë së përgjithshme, socio-linguistikës, politikave të planifikimit, normës e standardit, por jo dhe me më pak interesime për letërsinë dhe kulturën, zë një nga vendet qendrore në fushën e botimeve shkencore te ne, jo vetëm me monografitë, studimet, veprat autoriale që konsiderohen kontribute kulmore albanologjike dhe albanistike në botën shqiptare dhe më gjerë, por edhe me përgatitjen, mbledhjen, sistemimin, përkthimin e botimin e dhjetëra veprave të albanologëve botërorë, veprave të plota të emrave të shquar të studiuesve e albanologëve tanë e të huaj, organizues e pastaj hartues i vëllimeve të rëndësishme të bazuara në konferencat e mëdha shkencore albanologjike, si ato të studimeve albanologjike në Amerikë, në vendet ku flitet gjermanisht, në Itali dhe kjo që po përgatitet sivjet për studimet albanologjike në Francë që gjithsesi do të shoqërohet edhe me botimin e kontributeve të saj në një vëllim më vete”, tha Basha.
Ai theksoi se opusi shkencor i akademik Ismajlit, në veçanti ai i krijuar dhe i realizuar brenda Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “është i gjerë dhe i denjë për hulumtime të thella e të veçanta”.
Bardh Rugova, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, tha se libri i Profesor Rexhep Ismajlit “Për historinë e gjuhës shqipe” është studimi më i plotë rreth dialekteve të shqipes dhe teksteve të vjetra shqipe. Ai theksoi se ky libër do të jetë referencë e pakapërcyeshme në studimet albanistike.
“Libri ‘Për historinë e gjuhës shqipe’ është një dritare me shumë informacion për gjendjen e hershme të shqipes dhe ndryshimet e saj në kohë të ndryshme, por, më shumë se kaq, është një vepër që ofron interpretimet më të qarta dhe më të sistemuara lidhur me dialektet e shqipes dhe historinë e tyre, por edhe për tekstet e vjetra të shqipes”, tha Rugova.
“Libri përfshin një bibliografi të pasur dhe përfshin leximet kritike të një vargu autorësh që janë marrë me diakroninë e shqipes. Është shkruar me gjykime të ftohta dhe me gjuhë të rreptë shkencore. Konsiderojmë se nuk ekziston deri më sot asnjë studim më i plotë rreth dialekteve të shqipes, teksteve të vjetra sikur edhe asnjë analizë më përmbledhëse e studimeve albanistike në botë. Kjo e bën këtë libër referencë të pakapërcyeshme në studimet albanistike në rrafshin e diakronisë”, theksoi Rugova, ndër të tjera.
Shkumbin Munishi, gjithashtu anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në fjalën e tij, u fokusua më shumë në studimet e profesor Ismajlit për historinë e dialekteve të gjuhës shqipe.
“Në këtë vepër, shqyrtimi i problemeve të ndarjes dialektore të shqipes nuk është kundruar vetëm e thjesht si zhvillim i proceseve historike gjuhësore në kuadër të sistemeve të shqipes, por merr në konsideratë edhe dimensionet e shumta socio-linguistike që lidhen me kontekstet e ndryshme historike e kulturore nëpër të cilat ka kaluar shqipja në periudha të ndryshme, që nga periudha antike. Së këndejmi, zhvillimi i proceseve gjuhësore brenda shqipes që kanë ndikuar në ndarjen dialektore është parë në lidhje të ngushtë me kontekstet socio-linguistike që i kanë shoqëruar këto procese”, tha ai.
Munishi tha se përkthimi në gjuhë të huaja, në radhë të parë në gjuhën angleze, i librit “Për historinë e gjuhës shqipe”, si edhe i librit “Studime për historinë e shqipes në kontekstin ballkanik” dhe i studimeve tjera të Prof. Rexhep Ismajlit, është me interes shkencor të jashtëzakonshëm.
“Në një botë të trazuar shkencore, e cila shpesh ndërthuret në realitete objektive dhe virtuale, si në hapësira shqipfolëse ashtu edhe ndërkombëtare, e ku shqyrtimi shkencor shpeshherë përzihet me ndërhyrje sharlatanësh, veprat e Rexhep Ismajlit do të kontribuonin në mënyrë vendimtare që studimet albanistike të shpërfaqen në dritën më të mirë të mundshme, duke qëndruar në shtylla të fuqishme shkencore. Në këtë mënyrë gjuhësia shqiptare do të promovohej në hapësirat ndërkombëtare në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Munishi.
Autori i librit, Akademik Rexhep Ismajli, foli për interesimet dhe studimet e tij 50 vjeçare për historinë e gjuhës shqipe. Ai tha se proceset dhe zhvillimet e gjuhës shqipe, në faza më të hershme të saj, mund të hetohen në marrëdhëniet e saj me gjuhët përreth dhe me ndihmën e disiplinave të tjera historike.
“Studimet për historinë e gjuhës shqipe me të gjitha manifestimet e saj të shkruara ose jo, në radhë të parë për pjesën që nuk mund të ndiqet nëpër dokumente të shkruara, më kanë preokupuar qysh nga fillimet e viteteve ’70 të shekullit XX dhe prej atëherë asnjëherë nuk jam larguar prej tyre. Gjuha shqipe, edhe përtej historisë së saj të shkruar të dokumentuar relativisht vonë, në shekullin XV, na jep mundësinë të hetojmë procese dhe zhvillime në faza më të hërshme në saje të kontakteve të saj dhe të proceseve të marrë e dhënieve me gjuhët përreth – me latinishten në fazat e saj të ndryshme, me greqishten e lashtë, të mesmen dhe të renë, me gjuhët romane, me gjuhët sllave të jugut, me turqishten, duke na ofruar kështu një dokumentacion me vlerë për hulumtimet e proceseve dhe të rrjedhave të zhvillimeve të brendshme të saj. Të gjitha këto shihen në vorbullin e zhvillimeve shoqërore, të cilat për kohët e hershme nuk janë lehtësisht të rindërtueshme dhe për të cilat ndodh që disiplinat e tjera historike të kërkojnë ndihmë nga rindërtimet në fushën e zhvillimeve gjuhësore”, tha ai.
“Aspekte të ndryshme të studimit të kësaj historie të gjatë dhe shpesh të mbuluar me tise të ndryshme më kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre pesë dekadave paralelisht me studimet në fusha më të gjera për gjuhët, për fushën e gjuhësisë së përgjithshme, të gjuhësisë krahasuese indoeuropiane, të gjuhësisë ballkanike e areale, etj.”, shtoi ai.
Profesor Ismajli tregoi me pak fjalë edhe përmbajtjen e librit “Për historinë e gjuhës shqipe”.
“Këtu kam përmbledhur studime për rindërtimet e historisë së shqipes dhe për implikimet e tyre në fushat konkrete, për vështrimet e ndryshme ndër studiues nga të gjitha anët dhe studime për studimet për librin e parë të botuar shqip – Mesharin e Gjon Bdek Buzukut të vitit 1555 në pjesën e dytë të shekullit XX”, tha ai.
Përurimi i librit të Akademik Rexhep Ismajlit “Për historinë e gjuhës shqipe” u bë me pjesëmarrjen e një numri shumë të kufizuar të studiuesve, studentëve e të të interesuave tjerë, për shkak të masave parandaluese për përhapjen e epidemisë së koronavirusit.
Ramadan Muçolli