Liderët e BE-së e përshëndesin miratimin e propozimit francez nga Maqedonia e Veriut

Bruksel, 16 korrik 2022 – Liderët e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur votimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për miratimin e propozimit francez që e zgjedh kontestin e këtij vendi me Bullgarinë. Ata kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin i cili tash shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh  drejt të ardhmes suaj, të ardhmes evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ngjashëm ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se e mirëpret “votimin e parlamentit maqedonas që u hap rrugën konferencave të para për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Negociatat për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkmin Evropian pritet të nisin në të njëjtën kohë.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, për më shumë se dy vjet kishte mbajtur në fuqi veton ndaj nisjes së negociatave të Shkupit me Brukselin, për shkak të mosmarrëveshjeve sa i përket gjuhës dhe historisë. Kjo e ka penguar edhe nisjen e negociatave me Shqipërinë, me që Bashkimi Evropian vlerësonte se të dy vendet e kanë plotësuar kriteret për nisjen e negociatave.

(r.m.)