Liderët e Evropës premtojnë rritje të mbështetjes për Ukrainën

Bruksel, 6 mars 2025 – Udhëheqësit evropianë, me përjashtim të Hungarisë, mbështetën presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një samiti në Bruksel, teksa Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për të zhvilluar më shumë bisedime me qëllim që t’i jepet fund luftës me Rusinë.

Duke folur në samitin në Bruksel më 6 mars, Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që ta detyrojnë Kremlinin që të ndalë sulmet ajrore dhe detare ndaj Ukrainës si hap drejt ndërtimit të besimit dhe përparimit në negociata për përfundimin e luftës trevjeçare.

“Të gjithë duhet të sigurohen që Rusia, si burimi i vetëm i kësaj lufte, të pranojë se duhet ta përfundojë luftën”, tha Zelensky gjatë samitit në Bruksel.

Samiti i liderëve evropian në Brukse u përqendrua në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në Evropë, pasi Shtetet e Bashkuara pezulluan ndihmën për Ukrainën. Aty u theksua se Evropa duhet të luajë rol më të madh për sigurinë e vetes së saj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi takimin duke paralajmëruar se “Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të pranishëm”, duke thënë se është e nevojshme që Evropa “të jetë në gjendjen të mbrojë veten”.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Evropën dhe Ukrainën si pjesë e familjes sonë evropiane”, tha ajo.

“Është po ashtu moment shumë i rëndësishëm për Ukrainën”, shtoi von der Leyen.

Këshilli Evropian, pas diskutimeve disa orëshe, e miratoi një deklaratë ku thuhet se lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe pasojat e saj për sigurinë evropiane dhe botërore “përbëjnë sfidë ekzistenciale për Bashkimin Evropian”.

“Në këtë kontekst, BE-ja do të përshpejtojë mobilizimin e instrumenteve të nevojshme dhe financimit për të rritur sigurinë dhe për të mbrojtur qytetarët e bllokut”, thuhet në konkluzionet e miratuara.

Dokumenti, që përfshin edhe mundësinë që anëtarëve t’u ofrohet fleksibilitet fiskal në shpenzimet për mbrojtjen dhe mbështetë idenë e ofrimit të huave të mbështetura nga BE-ja për anëtarët deri në 150 miliardë euro për t’i shpenzuar për ushtritë e tyre, u miratua nga 27 anëtarët e BE-së, përfshirë Hungarinë.

Më herët gjatë ditës, Budapesti e bëri të qartë se nuk do të mbështesë një deklaratë që e mbështet Ukrainën, edhe pse Hungaria u pajtua që të rriteshin shpenzimet për mbrojtje.

Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

(Sipas Radio Evropa e Lirë)

Comment

*