Prishtinë / Strasburg, 17 prill 2024 – Liderët e Kosovës e kanë mirëpritur të martën vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’i dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në rrjetin social Facebook.
Ajo ka theksuar se votimi në Asamblenë Parlamentare “është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”.
“Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës për mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historik”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist se edhe ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do të votojnë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ishte e pranishme në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë “dëshmon përparimin e jashtëzakonshëm të Kosovës në forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit, të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj dhe sidomos të komuniteteve joshumicë”.
Ajo ka pranuar se Kosovës i mbetet edhe shumë punë për të bërë deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
“Mirëpo sot është dita për të falënderuar shumë të gjithë ata që na mbështetën nga fillimi në këtë rrugë të vështirë, por edhe të gjithë ata që në fillim ishin hezitues, por më pas na përkrahën dhe ndihmuan me shumë besim edhe energji”, ka thënë ajo.
(r.m.)