Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryeministrin Albin Kurti dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, kanë vendosur kurorë lulesh dhe kanë bërë homazhe te busti i mikut të madh të shqiptarëve, Senatorit amerikan Bob Dole, i cili u nda nga jeta të dielën.
Presidentja Osmani ka thënë se qytetarët e Kosovës janë shumë krenarë pikëlluar që e gëzuan mbështetjen e Senatorit Dole në rrugën e tyre për liri e pavarësi, madje edhe miqësinë e tij.
“Jemi sot këtu për t’i thënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm dhe më të mëdhenj që i ka pasur Kosova në historinë e saj, Senatorit Bob Dole, i cili u nda nga ne dje, duke lënë të pikëlluar jo vetëm Amerikën, por edhe gjithë Kosovën. Por, në të njëjtën kohë, jemi edhe shumë krenarë për përkrahjen që ai ia dha popullit të Kosovës në kauzën tonë për liri dhe pavarësi dhe për miqësinë e tij që e gëzuam gjatë dekadave”, është shprehur Presidentja Osmani.
Ajo ka kujtuar se Senatori Dole e ka mbështetur Kosovën në të gjitha periudhat, deri në fund të jetës së tij.
“Senatori Bob Dole ishte me ne jo vetëm në vitet e 90-ta, pra në kohën kur shumëkush jashtë vendit tonë nuk e dinte as edhe që ne ekzistonim në hartë. Ai ishte me ne edhe në sfidat e kohës së pavarësisë, por edhe pas pavarësisë, pavarësisht se ishte në postin e Senatorit apo edhe jashtë Senatit. Ai kurrë nuk e ndali përkrahjen për Kosovën. Madje, siç e keni parë prej deklarimeve të tij të fundit, më e fundit në Tëitter ishte pikërisht për Kosovën, duke e bekuar Kosovën dhe duke i bekuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani.
“Edhe ne sot i bashkohemi familjes së tij, u bashkohemi të gjithë miqve të tij dhe të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tëcilave ai u shërbeu gati 80 vjet. Do ta kujtojmë përgjithmonë këtë Njeri të Madh që nuk na la kurrë vetëm, që na ka ndihmuar të ecim përpara aq sa e ka ndihmuar popullin amerikan. Ai e meriton gjithë nderimin tonë. Kujtimi për të në Republikën e Kosovës do të jetë i përjetshëm”, ka theksuar Presidentja Osmani.
I ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, ka thënë se Senatori Dole kishte merita të mëdha që Senati amerikan e përkrahu pavarësinë e Kosovës.
“Dole ishte mik i madh i Kosovës. Ai punoi për pavarësinë e Kosovës dhe u përkujdes që edhe në Senatin amerikan të kishte përkrahje për këtë”, ka thënë Giacobbe.
(r.m.)