Liderët shtetërorë të Kosovës bashkëndjejnë me familjet e viktimave të aksidentit në Bullgari

Prishtinë, 23 nëntor 2021 – Krerët shtetëror të Kosovës janë shprehur të tronditur për vdekjen e 46 udhëtarëve të autobusit të aksidentuar në Bullgari, të martën, rreth orës 3 të mëngjesit.

Presidentja Vjosa Osmani e ka ndarë dhembjen me familjet e viktimave dhe është lutur për shërimin e të mbijetuarve të aksidentit.

“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona.

Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit.

U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.

Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Edhe Kryeministri Albin Kurti e ka ndarë dhembjen me familjet e viktimave dhe u është bashkuar lutjeve për shërimin e të mbijetuarve të aksidentit. Ai ka shprehur edhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ofruar ndihmë me kapacitetet e saj.

“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari.

Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Momente të vështira si këto lehtësohen duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit.

Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shprehë gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, thuhet nëmesazhin e Kurtit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është solidariarur me familjet e viktimave të aksidentit tragjiknë Bullgari.

“Ky mëngjes na tronditi me lajmin e hidhur për tragjedinë e ndodhur ne Bullgari. 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut njoftohet se kanë humbur jetën në autobusin që po kthehej nga Turqia.

Ngushëllime familjarëve të viktimave, bashkëndjejmë dhe jemi me ta në këtë tragjedi, si dhe lutemi për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Konjufca.

(r.m.)