Moskë, 22 mars 2022 – Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u dënua me nëntë vjet burgim nën akuzat për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës.
Procesi gjyqësor kundër tij u zhvillua në një burg të sigurisë së lartë të martën, më 22 mars.
Dënimin me burgim të Navalnyt kritikët e Kremlinit e shohin si përpjekje për ta mbajtur në burg kritikun e presidentit Vladimir Putin për aq kohë sa të jetë e mundur.
Gjykata vendosi gjithashtu që Navalny të dënohet edhe me një gjobëprej 1.2 milionë rublash (rreth 11,500 dollarë). Navalny mund të apelojë vendimin.
Më herët, gjykata e shpalli fajtor Aleksei Navalny nën akuzat për përvetësim.
Gjykatësja Margarita Kotova e ka lexuar dënimin e tij më 22 mars në një burg jashtë Moskës, ku është duke u mbajtur Navalny.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim për 13 vjet.
Navalny e ka kaluar vitin e kaluar në burg për akuza të ndryshme pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas sulmit gati fatal me agjent nervor.
Navalny fajëson Kremlinin për këtë sulm, mirëpo ky i fundit hedh poshtë akuzat.
Rasti ndaj Navalnyt ka nisur në dhjetor të vitit 2020, nën dyshimet se 45-vjeçari ka përvetësuar para nga Fondacioni i tij Kundër-Korrupsionit.
Hetuesit kanë akuzuar Navalnyn se ka marrë rreth 33 mijë dollarë amerikanë të donacioneve për përdorim personal.
Navalny hedh poshtë të gjitha akuzat dhe i konsideron të motivuara politikisht.
(REL)