Lideri verikorean e quan “sinjal të qartë” për SHBA-në testimin e raketës interkonintale

Penian, 19 dhjetor 2023 – Testimi i një rakete balistike interkontinentale nga Koreja e Veriut, duhet të shërbejë si paralajmërim për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, ka thënë lideri verikorean, Kim Jong Un, sipas mediave shtetërore verikoreane të martën.

Lansimi i raketës Hwasong-18, të hënën, ka dërguar “mesazh të qartë për forcat armiqësore”, ka thënë Kim, i cili e ka mbikëqyrur lansimin e raketës, e cila në teori ka kapacitet për të goditur çdo hapësirë në Shtetet e Bashkuara.

Raketa e lëshuar të hënën funksionon me lëndë djegëse të ngurta, dhe varësisht prej dizajnit, mund të pajisjet edhe me kokë bërthamore.

Të hënën, raketa është thënë se ka fluturuar 1.000 kilometra, para se të binte në det.

“Testimi i suksesshëm është demonstrim praktik i gjendjes aktuale dhe besueshmërisë në aftësitë e frikshme goditëse, dhe shërben si parandalues i luftës bërthamore të forcave të armatosura”, ka thënë Kim, sipas agjencisë shtetërore.

Raketa tregon se “çfarë mundësie ka shteti ynë, kur Uashingtoni të marrë ndonjë vendim të gabuar kundër tij”, ka thënë ai.

Raketa e llojit Hwasong-18 është testuar fillimisht në prill.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, e kanë dënuar testimin e së hënës, duke e quajtur provokim dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat ua ndalojnë verikoreanëve aktivitetin bërthamor dhe raketor.

Regjimi verikorean ka testuar raketa disa herë këtë vit.

Koreja Veriore i ka arsyetuar shpesh testimet si përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

(REL)