Lideri verikorean heq dorë nga ideja e bashkimit të dy Koreve

Penian, 16 janar 2024 – Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se bashkimi me Korenë e Jugut nuk është më i mundshëm.

Në një fjalim të mbajtur para Asamblesë Supreme Popullore (parlamentin verikorean) Kim ka thënë se Kushtetuta duhet të ndërrohet për t’i edukuar verikoreanët që Koreja e Jugut është “armiku kryesor”.

Kim citohet të ketë thënë se Koreja e Veriut “nuk dëshiron luftë, mirëpo nuk synon ta shmangë atë”, “në rast të provokimeve”.

Ai ka thënë që nëse shpërthen lufta në Gadishullin Korean, Kushtetuta e shtetit duhet të reflektojë çështjen e “pushtimit”, dhe çështjen e “përfshirjes” së Koresë së Jugut në territorin e Koresë Veriore.

Sipas medias shtetërore KCNA, Kim ka thënë se tri organizatat që merren me çështje të bashkimit duhet të mbyllen.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka thënë se do të përgjigjet “disa herë më ashpër”, nëse do të ketë provokime prej Koresë së Veriut.

Në një raport të publikuar javën e kaluar për North 38 – organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, me fokus në Korenë e Veriut – ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Carlin, dhe shkencëtari bërthamor Siegfried S Hecker, kanë thënë se situata në Gadishullin Korean është “më e rrezikshme se kurrë më parë”.

(r.m.)