Kiev, 24 korrik 2022 – Një delegacion i kongresit amerikan u takua të shtunën në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ata premtuan mbështetje të vazhdueshme në luftën e këtij vendi kundër Rusisë.
Në përbërje të delegacionit amerikan ishte edhe kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve Adam Smith. Kjo shënon vizitën më të fundit të zhvilluar në Ukrainë nga zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë.
“Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën, kanë qëndruar krah Ukrainës duke ofruar ndihmë ekonomike, ushtarake dhe humanitare”, thuhej në një deklaratë të delegacionit amerikan.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Presidentin Zelenskyy dhe popullin ukrainas në mënyrën më efektive të mundshme, ndërsa ata vijojnë me qëndresën e tyre të guximshme”, shtuan ata.
Të mërkurën sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Uashingtoni do të dërgojë katër sisteme të tjera raketash me lëvizshmërisë së lartë në Ukrainë, duke e çuar në 16 totalin e sistemeve të këtij lloji që i janë dërguar Kievit. Por në deklaratën e ligjvënësve amerikanë nuk përmendej një gjë e tillë.
Ndërkohë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ligjvënësi Adam Smith tha se Uashingtoni dhe aleatët e tij ishin gati t’i dorëzonin Kievit sisteme të reja raketash.
(Zëri i Amerikës)