Uashington, 1 mars 2022 – Të hënën, në një takim të zhvilluar në Bjellorusi, në zonën kufitare me Ukrainën, delegacionet e Moskës dhe Kievit bisrduan rreth 5 orë për ndërperjen e operacioneve ushtarake. Por, bisedimet nuk dhanë ndonjë rezultat. Dy delegacionet u kthyen në kryeqytetet e tyre për të marrë udhëzime për vazhdimin e bisedimeve.
Por, palët janë në pozicione shumë të largëta. Pala ukrainase kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, kurse pala ruse, siç e tha më vonë vetë Presidenti Vladimit Putin, shtroi tri kushte për ndërprerjen e loperacioneve ushtarake kundër Ukrainës: njohjen e sovranitetit rus në Krime, çmilitarizimin e Ukrainës dhe garanci se Ukraina do të ketë “status neutral”.
Uashingtoni zyrtar shprehu dyshime se Rusia është e interesua për zgjidhje me bisedime.
“Diplomacia nën tytën armës, diplomacia nën frëngjinë e një tanku – kjo nuk është diplomaci e vërtetë”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
“Ne jemi të gatshëm, ashtu siç janë partnerët tanë ukrainas, ashtu siç janë aleatët tanë evropianë, të angazhohemi në diplomaci reale, thelbësore, të vërtetë, në mënyrë që të shohim nëse mund të gjejmë një rrugëdalje nga një konflikt i panevojshëm, brutal”, tha Price.
Ndërkaq, ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën me vlerë 6.4 miliardë dollarë.
Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova, në një takim me një grup senatorëve amerikanë, tha se Ukraina ka nevojë për më shumë armë.
Ligjvënësit amerikanë e vlerësuan të rëndësishme rritjen e ndihmës ndaj Ukrainës, si edhe të presionit ndaj Rusisë.
“Është Davidi kundër Goliatit”, tha senatori republikan, Jim Risch, nga Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke vënë në pah forcën e ushtrisë ruse përballë forces ukrainase.
“Unë mendoj se çdo qenie njerëzore që lexon raportet që dalin prej andej, e kupton se kjo është e tmerrshme”, tha Risch.
Ambasadorja ukrainase bëri thirrje edhe për forcimin e sanksioneve amerikane kundër Rusisë, veçanërisht në sektorin e naftës dhe gazit. Ajo mori premtimin se SHBA do të diskutojë për këtë edhe me aleatët e saj.
“Ne duhet të shqyrtojmë ndalimin e rrjedhës së energjisë nga Rusia në Shtetet e Bashkuara dhe të angazhojmë aleatët tanë në të njëjtën kauzë”, tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.
(Sipas Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë)