Uashington, 15 dhjetor 2021 – Ligjvënësit amerikanë që sapo janë kthyer nga një vizitë në Ukrainë paralajmërojnë se kërcënimet e Uashingtonit me sanksione dhe manovra diplomatike nuk janë të mjaftueshme për të bindur presidentin rus Vladimir Putin të heqë dorë nga një sulm i mundshëm kundër Ukrainës.
Grupi i ligjvënësve demokratë dhe republikanë vizitoi Kievin të shtunën dhe të dielën, ku u takua me komandantin e forcave speciale të Ukrainës dhe me operatorët specialë të Shteteve të Bashkuara dhe trupat e Gardës Kombëtare, të cilët po ndihmojnë në stërvitjen e ushtrisë ukrainase.
Ata e përshkruan situatën si “shumë shqetësuese” dhe i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të përshpejtojë dërgimin e armëve për forcat ukrainase me shpresën për të shmangur një sulm rus.
“Të them të drejtën, premtimet për veprime të forta në rast të një sulmi, do të kenë një ndikim të vogël në llogaritë e Putinit”, u tha gazetarëve të martën ligjvënësi republikan Michael Waltz.
“Putini është duke e bërë këtë, kryesisht sepse ai mendon se mund të shmangë pasojat”, shtoi ligjvënësi Waltz. “Duhet të ndihmojmë Ukrainën që të forcohet dhe të rrisim kostot (me të cilat do të përballej Rusia nëse sulmon Ukrainën) tani”.
Edhe ligjvënësit demokratë që vizituan Ukrainën i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të ndërmarrë veprime që do ta bëjnë Rusinë të ndjejë menjëherë pasojat e një sulmi të mundshëm ndaj Ukrainës.
“Nëse Putini sulmon, unë dua që ai ta dijë se ai do të ndeshet me pasoja brenda pesë minutave, jo nga një konferencë e vendeve të NATO-s mbi masat që duhet ndërmarrë në javët pasuese”, tha ligjvënësi demokrat Seth Moulton.
“Ne duhet të komunikojmë qartë se si armët që ne ofrojmë do të shkaktojnë humbje të mëdha për trupat ruse që në ditën e parë të një sulmi, dhe jo vetëm pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore”, tha ai. “Jo vetëm t’i bindësh ose të përpiqesh t’i bindësh se një sulm i tillë do të jetë i dhimbshëm, por se një operacion pushtimi i shkallës së gjërë do të jetë i vështirë për t’u ndërmarrë menjëherë”, shtoi ligjvënësi Moulton.
Ligjvënësit shprehën gjithashtu besimin se ndryshe nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, forcat ukrainase tani janë të përgatitura për një rezistencë të fortë, nëse Putini dërgon trupa ruse atje. Megjithatë, ata thanë se nuk do të ishte realiste të mendohej se trupat ukrainase mund të rezistojnë për një kohë të gjatë.
“Unë mendoj se ajo për të cilën duhet të punojmë në të ardhmen e afërt, pikërisht tani, është krijimi i aftësisë për një rezistencë të fortë në luftërat jokonvencionale”, tha demokrati Ruben Gallego.
Disa analistë kanë sugjeruar se një strategji e tillë, që synon t’i imponojë Moskës një kosto ushtarake, mund të funksionojë.
“Unë mendoj se nëse Putini nis një sulm madh, kjo mund të jetë shumë e kushtueshme për të”, tha Luke Coffey nga Fondacioni Heritage me qendër në Uashington të hënën në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
“Ata kanë një sistem rezervistësh shumë të fortë në Ukrainë dhe mund të angazhojnë një numër të madh forcash”, tha ai. “Pa dyshim që sa më në perëndim të lëviznin forcat ruse, aq më e fortë do të bëhej rezistenca kundër tyre”, tha eksperti Coffey.
Shtëpia e Bardhë sinjalizoi të martën se është e përgatitur të qëndrojë në kursin aktual, por duke premtuar se Moska do të paguajë një “çmim të tmerrshëm” nëse e sulmon Ukrainën për shkak të sanksioneve që presidenti Joe Biden i ka përshkruar si shkatërruese.
“Objektivi ynë vazhdon të jetë angazhimi në rrugët diplomatike që do të çonte në uljen e tensioneve”, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Ne jemi padyshim të angazhuar në biseda të përditshme me evropianët, rusët, ukrainasit për të përcjellë pikërisht atë që ne mendojmë se duhet të ndodhë për të ulur tensionet në terren”, tha zonja Psaki.
Megjithatë, këto bisedime, duke përfshirë takimet e Ndihmës Sekretares së Shtetit, Karen Donfried me zyrtarët rusë në Moskë, duket se kanë patur pak ndikim mbi situatën në terren, të paktën deri më tani.
Pentagoni tha të martën se nuk kishte parë asnjë shenjë tërheqjeje nga forcat ruse të grumbulluara përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Zoti Putin të martën përsëriti shqetësimin e Rusisë për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO gjatë një telefonate me presidentin francez Emmanuel Macron, duke këmbëngulur që Perëndimi të ofrojë garanci të nevojshme të sigurisë për Moskën.
“Presidenti rus theksoi rëndësinë e nisjes së menjëhershme të negociatave ndërkombëtare për të krijuar garanci të përcaktuara ligjërisht që do të parandalonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në lindje dhe vendosjen e armëve në shtetet fqinje, kryesisht në Ukrainë, që kërcënojnë Rusinë”, tha Kremlini përmes një deklarate.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë kërcënoi më herët se Moska mund të detyrohet të dislokojë armë bërthamore taktike nëse Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk i japin fund zgjerimit të aleancës drejt lindjes.
NATO të martën kundërshtoi mbajtjen e bisedimeve të tilla, duke e quajtur hipokrite, veçanërisht thirrjen e Kremlinit për një moratorium mbi forcat bërthamore me rreze të mesme veprimi në Evropë.
“Ne kishim në fuqi një masë të tillë ndalimi, dhe ata e shkelën atë”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Nuk është një hap i besueshëm që ata tani po bëjnë, duke propozuar një ndalim (dislokimin e armëve) që në të vërtetë ata kanë filluar tashmë ta shkelin”, shtoi ai.
(Zëri i Amerikës)