Uashington, 20 gusht 2024 – Ndërsa Presidenti Joe Biden do të mbante fjalimin kryesor për Kuvendin Kombëtar Demokrat të hënën në mbrëmje, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan një raport duke e akuzuar atë për shkelje dhe duke kërkuar që ai të hiqet nga detyra.
Raporti i përbashkët me 291 faqe i tre komisioneve, për mbikëqyrjen, gjyqësorin dhe zbatimin e rregullave, përsërit kryesisht akuzat e ngritura në raportet e mëparshme dhe seancat dëgjimore të këtyre komisioneve: se zoti Biden, si president dhe nënpresident, bëri abuzime me pushtetin dhe pengoi përpjekjet e Kongresit për t’i hetuar këto abuzime.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, kryetari i Komisionit për Gjyqësorin, Jim Jordan, që së bashku me Kryetarin e Komisionit të Mbikëqyrjes, James Comer kanë drejtuar publikisht hetimin me qëllim shkarkimin e presidentit, konfirmoi se koha e publikimit të raportit nuk ishte një rastësi.
“Ndërsa demokratët lëvdojnë Joe Bidenin dhe kurorëzojnë Kamala Harrisin si trashëgimtaren e tij të dukshme këtë javë, amerikanët duhet të kujtojnë realitetin e administratës Biden-Harris: krimin, kaosin dhe korrupsionin”, u shpreh ligjvënësi Jordan në një deklaratë.
Sharon Yang, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë për Mbikëqyrjen dhe Hetimet, duke iu përgjigjur një kërkese të Zërit të Amerikës për koment, tha në një email: “Pas shpërdorimit të gati dy viteve dhe miliona dollarëve të taksapaguesve, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve më në fund kanë hequr dorë nga ndjekja e diçkaje që nuk ekziston”.
“Populli amerikan meriton më shumë nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ndoshta më në fund do t’i bashkohen tani Presidentit Biden për t’u përqëndruar tek çështjet reale për të cilat familjet amerikane interesohen vërtet”, tha ajo.
Ekspertët për proceset hetimore me qëllim shkarkimin, e përshkruan çështjen e përpiluar nga tre komisionet si të pabazuar mirë dhe se i mungojnë provat për llojet e shkeljeve të dëmshme që kanë nxitur hetime të tilla në të kaluarën.
Ligjvënësit republikanë kanë hetuar rreth marrëveshjeve financiare të Presidentit Biden dhe anëtarëve të familjes së tij prej vitesh, duke e akuzuar për “abuzim me pushtetin”. Raporti akuzon gjithashtu se rezistenca e Presidentit Biden ndaj disa prej kërkesave të hetuesve është pengim i drejtësisë.
Nuk është e qartë nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme nga ligjvënësit republikanë për të miratuar ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit Biden. Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe sipas disa njoftimeve në media rreth dymbëdhjetë ligjvënës republikanë ngurojnë të votojnë në favor të ngritjes së akuzave për shkarkimin e tij.
(Zëri i Amerikës)