Linçohen publikisht prokurori e gjyqtari që vendosën për lirimin e Pantiqit nga paraburgimi

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Prokurori që gjyqtari që vendosën për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq, u vendosën në “shtyllën e turpit”.

Të mërkurën në mbrëmje, emrat e tyre u afishuan në grafitet e stampuara në disa objekte publike në qendër të Prishtinës.

“Shtyllë e turpit: Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe prokurori Afrim Shefkiu”, shkruan në grafitet që duket të jenë “dizajnuar” në ndonjë studio grafike.

Kështu, linçohen publikisht prokurori Afrim Shefkiu, i cili kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me massën e arrestit shtëpiak për Pantiqin, ndërsa gjyqtari Mentor Bajraktari e miratoi kërkesën e prokurorit.

Emrat e këtyre dy zyrtarëve të sistemit të drejtësisë së Kosovës u vendosën në “Shtyllën e turpit” pas reagimeve të ashpra të dy prej autoriteteve që duhet të krijojnë kushte për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kurti ka thënë se është kureshtar të dijë se cili është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë për Pantiqin dhe cili është gjyqtari që e ka aprovuar këtë kërkesë.

“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon atë”, ka thënë Kurti.

Shumë më ashpër se kryeministri Kurti ka reaguar ministrja Haxhiu. Ajo e ka cilësuar si “aktin më të rëndë” kundër shtetit vendimin për zëvendësimin e masës së sigurisë për Pantiqin.

“Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiqit është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues”, ka shkruar ajo në Facebook.

Prokurori Shefkiu dhe gjyqtari Bajraktari janë gjykuar me ashpërsi të jashtëzakonshme edhe në rrjetet sociale. Ndër të tjera, ata akuzohen edhe për “tradhëti” ndaj atdheut.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministres Haxhiu.

KPK ka thënë se  “reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe në pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.

KPK ka shprehur indinjatë të thellë për kërkesën e Kryeministrit Kurti që të mësojë emrat e prokurorit gje gjyqtarit që vendosën për ndërrimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit.

“Kjo, përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxisë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thekson KPK.

Për të njëjtat arsye ka shprehur shqetësim edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili ia kujton kryeministrit Kurti se gjyqtarët janë dhe dhuhet te jenë të pavarur gjatë punës së tyre.

“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, ka thënë KGJK.

‘Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se, bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që e ka marrë këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, ka theksuar KGJK.

Më herët, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se kërkesa e prokurorit Shefkiu për ndërrimin e masës së sigurisë për Pantiqin është bërë në bazë të raportit mjekësor për gjendjen e tij shëndetësore dhe rekomandimit që të transferohet për trajtim mjekësor në një qendër  spitalore.

(r.m.)