Lind katërnjakë palestinezja që eci disa orë për të shpëtuar nga sulmet izraelite

Gazë, 28 dhjetor 2023 – Një grua e re palestineze që ishte shtatzënë është detyruar të ecë disa kilometra në Rripin e Gazës me tre fëmijët e saj, për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite.

Iman Al Masry arriti të shkonte në kampin e refugjatëve Deir Balah, ku lindi katërnjakë, dy vajza dhe dy djem.

Por, asaj iu desh të largohej shpejt nga spitali, për t’u bërë vend pacientëve tjerë.

“I ushqej me gji, por nuk kemi ushqim të mjaftueshëm apo pelena”, tha gruaja 28-vjeçare, e cila tani jeton me fëmijët dhe burrin e saj në një klasë të mbipopulluar në një shkollë lokale të drejtuar nga UNRWA.

“Bastisjet janë shumë të shpeshta, ne përpiqemi t’i mbajmë fëmijët larg dritareve”, shtoi ajo.

Tre nga katërnjakët flenë me nënën e tyre në dysheme, kurse i katërti duhet të qëndronte në spital, sepse ishte shumë i dobët dhe peshonte vetëm një kilogram.

Babai i tyre 33-vjeçar e kalon pjesën më të madhe të ditës jashtë, duke u përpjekur të gjejë ushqim për familjen.

“Fëmijët kanë nevojë për qumësht dhe gruaja ime ka nevojë për ushqim që përmban proteina”, tha ai.

Gjatë luftës, në Rripin e Gazës arrijnë sasi shumë të vogla të ndihmave humanitare dhe shpërndarja e tyre pengohet nga luftimet dhe nga bombardimet e forcave izraelite.  Rrugët janë dëmtuar dhe lidhjet e telekomunikimit janë ndërprerë nga bombardimegt e Izraelit.

Palestinezët e dëshpëruar shpesh hidhen mbi kamionët me ushqime, përpara se organizatat e ndihmave humantare t’i shpërndajnë ato.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 13 spitale në Rripin e Gazës funksionojnë pjesërisht, ndërsa 20 të tjera nuk funksionojnë.

(r.m.)