Prishtinë, 22 shtator 2021 – Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha të mërkurën në Prishtinë se Shqipëria dhe Kosova duhet të rrisin angazhimin e përbashkët me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për të ripërtërirë procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për ta ribërë të ditur gjenocidin dhe krimet serbe të luftës.
Ajo i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e saj të parë jashtë Shqipërisë që kur mori mandatin javën e kaluar.
“Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë, që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve, ashtu sikurse duhet të ndërveprojmë dhe të punojmë më shumë me të gjitha forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada”, tha zonja Nikolla.
Aji tha se Shqipëria vlerëson rihapjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bashkërendim me partnerët strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane e presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e fokusuar në njohjen e ndërsjellë. Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk kanë asnjë dallim sa i përket qëndrimeve për sa i përket dialogut dhe rrugëtimit që Kosova duhet të bëjë, patjetër është nxitje pozitive dhe një argument i fort për të thënë që po, Kosova ashtu siç i kishte këta partnerë të rëndësishëm në krahë kur fitoi luftën, i ka sërish në krahë të saj për të fituar edhe në paqe”, tha zonja Nikolla.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se me parlamentin e ri të Shqipërisë do të rritet bashkëpunimi përtej atij ekzistues.
“Zgjedhja e kryetares Nikolla në krye të Kuvendit të Shqipërisë na ka mbushur edhe me më shumë optimizëm që e kemi mundësinë për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit në fushën e parlamenteve tona. Deri tash kemi pas në disa rrafshe bashkëpunim më intensiv sidomos në fushën e legjislacionit dhe politikës së jashtme”, tha zoti Konjufca.
Të dy shefat e parlamenteve thanë se do të krijojnë një komitet të përbashkët që do të vëzhgonte zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Shqipëria dhe Kosova deri më tash kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta ndërsa kanë nënshkruar një mori marrëveshjes bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Por, sfidë ende mbetet zbatimi në praktikë.
Kohët e fundit marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve u dukën më të ftohura për shkak të përplasjeve në distancë ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”, që është refuzuar nga Kosova.
(Zëri i Amerikës)