Ishte shtatori i vitit 1980. Si shumë udhëheqës politikë amerikanë të periudhës së luftës së ftohtë, edhe ish- guvernatori republikan i Kalifornisë, Ronald Reagan, mendonte se përhapja e komunizmit kudo në botë e kërcënonte lirinë gjithkund. Gjendja ekonomike në Shtetet e Bashkuara sa vinte e keqësohej për amerikanët e rëndomtë. Ronald Reagan e kishte shpallur kanditaturën për President të Shteteve të Bashkuara. Fillimin e fushatës së tij për President të Amerikës ai e kishte shënuar me një fjalim me rastin e Ditës së Punëtorëve këtu, në Shtetet e Bashkuara, më 1 shtator 1980, në Parkun e Lirisë, në shtetin Nju Xherzi. Në atë fjalim ai foli për shumë çështje e eprobleme me të cilat përballej Amerika dhe për programin e tij për t;i zgjidhur ato në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë një vend imigrantësh dhe e përmendi edhe grevën e punëtorëve që po zhvillohej në atë kohë në Gdansk të Polonisë kundër regjimit komunist të atij vendi. Reagan foli edhe për rëndësinë që kishin në atë kohë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë në luftën ideologjike kundër komunizmit. Ai fjalim përmbante edhe citatin e tij tashmë të famshëm: “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes.” (“Freedom is never more than one generation away from extinction”).
Gjatë atij fjalimi, Ronald Reagan theksoi nevojën për rikthimin e ëndrrës amerikane dhe për rivendosjen e vlerave jetike amerikane – shpirtërore dhe morale – vlera aq të rëndësishme edhe të atyre imigrantëve që kanë ardhur në këtë vend për të ndërtuar një jetë të re, sië u shpreh Reagan.
“Duhet t’i rivendosim këto vlera në jetën e përditshme, në lagjet tona, në administratën e qeverive tona vendore dhe federale, si dhe në marrëdhëniet tona me vendet e ndryshme të botës”, theksoi ai gjatë fjalimit.
Duke iu referuar, me atë rast, protestave të punëtorëve polakë në Gdansk, Ronald Reagan ndër të tjera, tha: “Janë pikërisht këto vlera që i frymëzojnë ata punëtorë të guximshëm në Poloni. Janë vlerat që i kanë frymëzuar disidentët tjerë nën sundimin komunist. Ata na kujtojnë se atje ku sindikatat e lira dhe marrëveshjet kolektive me punëtorët janë të ndaluara, liria humbet. Ata na kujtojnë se liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes. Ti dhe unë duhet të mbrojmë dhe të ruajmë lirinë këtu ose nuk do t’u kalohet fëmijëve tanë. Sot, punëtorët në Poloni po i tregojnë një brezi të ri jo se sa i lartë është çmimi që duhet paguar për lirinë, por po i tregojnë edhe botës se, vërtetë, ia vlen të luftohet për këtë çmim, me qëllim që të sigurohet liria”, theksoi Zoti Reagan.
Ish-presidenti Reagan e shënoi ditën e puntorëve të Amerikës në vitin 1980, duke nënvijuar disa prej vlerave në të cilat ai besonte dhe në bazë të cilave ai, gjatë dy mandateve të tij si president i Shteteve të Bashkuara, do ta qeveriste vendin dhe do të zhvillonte marrëdhëniet me botën, përfshirë botën e atëherëshme komuniste, përfshirë mirëpritjen e imigrantëve.
“Dua shumë dhe mbi të gjitha të kem një administratë që nëpërmjet veprimeve të saj, brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare, t’ua bëj të ditur miliona njerëzve se Miss Liberty (Stauja e Lirisë) ende ‘e mban lart llambën e saj pranë derës së artë’, tha Reagan. Ai theksoi edhe rolin e rëndësishëm që ai dëshironte ta luanin Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë, në përhapjen e këtyre vlerave amerikane.
“Nëpërmjet stacioneve tona ndërkombëtare të transmetimit të lajmeve, Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë dhe të tjerëve, le të dërgojmë, me zë të lartë dhe të qartë, mesazhin se ky brez i amerikanëve e ka ndërmend ta mbajë ndezur atë dritë lirie e shprese, se kjo ëndërr, më e mira shpresë e fundit mbi tokë, ky komb nën hirin e Perendisë, nuk do të zhduket kurrë nga kjo botë. Ne do të vazhdojmë të jemi një simbol i lirisë dhe ruajtës të vlerave të përjetshme që i frymëzuan aq shumë ata që erdhën në këtë port hyrjeje”, të Shteteve të Bashksuara të Amerikës, tha ndër të tjera Ronald Reagan në fjalimin e mbajtur me 1 shtator 1980, me rastin e Ditës së Punëtorëve në Amerikë.
Siç dihet, Ronald Reagan u zgjodh për dy mandate president i Shteteve të Bashkuara, gjatë të cilave, sipas historianëve, ndër të tjera, ai luajti rol kyç në shembjen e komunizmit, pa e zbrazur asnjë fishek dhe pa e humbur asnjë ushtar.
Fjalët e Presidentit Ronald Reagan më 1 shtator 1980, (në Ditën e Punëtorëve të Amerikës që këtë vit bie më 6 shtator) që paralajmëronin rrezikun me të cilin përballeshin atëherë liria dhe demokracia në Amerikë dhe në botë, janë të padiskutueshme edhe në aktualitetin e sotëm politik, kudo në botë, madje edhe në një vend me traditë të gjatë demokratike si Shtetet e Bashkuara, si edhe në çdo vend tjetër të botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat edhe pas 30 vjetësh post-komunizmi, , sipas Departamentit të Shteteit amerikan dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, mbeten në grupin e vendeve pjesërisht të lira.
Kujdes! “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes”, na këshillon ish-Presidenti Ronald Reagan edhe sot, në Ditën e Punëtorëve amerikanë.
Zgjohu shqiptar! Demokracia duhet mbrojtur çdo ditë! Demokracia nuk pret!