Liridona Ademaj – Murseli rivarroset në varrezat e fshatit Rracaj, në ceremoni private

Prishtinë, 4 dhjetor 2023 – Familja e Liridona Ademaj – Murselit ka njoftuar të dielën pasdite se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka kërkesën e prindërve të së ndjerës për zhvarrimin e trupit të saj nga varrezat e fshatit të bashkëshortit, Cërmjan të Gjakovës, dhe për rivarrem në varrezat e fshatit të familjes, Rracaj të Gjakovës.

“Kërkojmë nga ju që të na mundësoni që trupin e vajzës tonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj… Po ashtu, kërkojmë nga ju që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes, përmes policisë, të na siguroni privatësi të plotë”, thuhet në kërkesën e aprovuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Familja Ademaj ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se rivarrimi do të bëhet sot (e hënë) duke kanë bërë thirrje që të respektohet e drejta e familjes për privatësi.

Liridona Ademaj – Murseli është vrarë më 29 nëntor, në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Në mesin e të dyshuarve, të cilët janë arrestuar, është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Tre të dyshuarve lidhur me vrasjen e 30 vjeçares Liridona Ademaj – Murseli u është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava dyshohet për vprën pnale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa Kushtrim Kokalla dyshohet për veprën pnale “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Murseli e ka pajisur me armë Granit Plavën dhe e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij, duke e inskenuar si grabitje të armatosur.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M. me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P. për ta vrarë tani të ndjerën L.M., ku paraprakisht i pandehuri N.M. e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P. dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Rasti i vrasjes së Liridona Ademaj – Murselit u raportua fillimisht si grabitje e armatosur me pasojë vrasje, por nga hetimet rezultoi se vrasja e saj ishte porositur dhe organizuar nga bashkëshorti i saj. Në momentin kritik, në veturën ku u vra e ndjera gjendej edhe burri i saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët e tyre. Naimi me fëmijët kanë dale nga vetura dhe janë larguar, ndërsa Liridona e ndjerë është vrarë me një plumb në qafë.

Sipas hetimeve të deritashme, Naim Murseli ia kishte premtuar dorasit Granit Plava 30 mijë euro për kryrjen e vrasjes.

Motivet e vrasjes së Liridona Ademaj – Murselit mbeten të panjohura.

(r.m.)