Liridona Ademaj rivarroset në varrezat e fshatit të saj, në Rracaj

Prishtinë, 4 dhjetor 2023 – Liridona Ademaj, e cila u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, është rivarrosur sot në varrezat e fshatit të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Familja Ademaj kishte shprehur dëshirën që rivarrimi të bëhej me një ceremoni familjare, por në ceremoni kanë marrrë pjesë qindra miq, bashkëfshatarë e qytetarë të Rracajt e të fshatrave të rrethinës.

Në ceremoninë e rivarrimit kanë marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrja e Tregtisë dhe industrisë, Rozeta Hajdari, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe drejtues të komunës së Gjakovës.

Një grup të rinjsh, të veshur me bluza të bardha, me fotografinë e Liridonës përpara dhe me mbishkrimin “Drejtësi për Liridonën”, kanë bërë homazh dhe kanë vendosur nga një trëndafil të bardh mbi varrin e Liridonës.

Liridona Ademaj u vra në Bërnicë të Prishtinës, më 29 nëntor.

Ajo ishte varrosur në varrezat e fshatit të bashkëshortit të saj, në Cërmjan të Gjakovës, por prindërit dhe famijarët e saj kërkuan zhvarrimin nga Cërmjani, kur u kuptua se bashkëshorti i saj, Naim Murseli, është i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj.

Të dielën, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit ndaj bashkëshortit të Liridonës, Naim Murseli, për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plavës për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Kushtrim Kokallës për veprën penale “marrëveshje për të kryer vrasjen”.

Gjykata tha se “ekziston dyshimi i bazuar se Naim Murseli ishte marrë vesh me Granit Plavën për ta vrarë bashkëshorten e tij, duke i siguruar armën vrasësit dhe duke inskenuar veprën penale të grabitjes”.

Të mërkurën, Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në veturën të cilën e ngiste bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili i kishte thënë policisë se vrasja kishte ndodhur gjatë grabitjes së armatosur, derisa ai po udhëtonte bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tyre.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Autoritetet dhe shoqëria civile kërkon që autorët e këtij krimi makabër të marrin dënimin maksimal.

This image has an empty alt attribute; its file name is Rivarrimi-i-Liridona-Ademajt-1.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Rivarrimi-i-Liridona-Ademajt-3.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is Rivarrimi-i-Liridona-Ademajt-5.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Rivarrimi-i-Liridona-Ademajt-2-640x400.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is Rivarrimi-i-Liridona-Ademajt-4.jpg

(r.m.)