Lirohen nga paraburgimi tre policët e Kosovës që mbaheshin në Serbi

Beograd, 26 qershor 2023 – Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan nga paraburgimi.

Gjykata e Lartë në Kralevë, ku po mbaheshin në paraburgim tre policët, konfirmoi ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër policëve: Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka.

Avokati nga Beogradi, Gradimir Nalliq, i cili i përfaqësoi ata, tha se aktakuza kundër tre policëve është konfirmuar, por ata do të mbrohen në liri.

Ai tha se policët do të kthehen në Kosovë dhe shtoi se është në “interes të klientëve” të mos japë më shumë informacione.

Tre policët kosovarë ngarkohen për veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

Arrestimi i policëve më 14 qershor shtoi më shumë tensionet midis dy vendeve. Qeveria e Kosovës e akuzoi Serbinë se tre pjesëtarët e policisë kufitare  janë rrëmbyer në territorin e Kosovës. Por, Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar “thellë” në territorin e Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar me ngulm lirimin e tre policëve kosovarë nga paraburgimi dhe ndërmarrjen e masave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

(r.m.)