Colleyville (Texas, US), 16 janar 2022 – Të gjithë personat që mbaheshin peng në një sinagogë në Colleyville, në Teksas, janë liruar dhe janë shëndosh e mirë.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, njoftoi në Twitter për përfundimin me sukses të operacionit policor për lirimin e pengjeve.
“Lutjet u përgjigjën. Të gjithë pengjet janë jashtë gjallë dhe të sigurtë”, tha Abbott.
Shefi i policisë së Colleyville, Michael Miller, tha se pengmarrësi “ka vdekur”.
Pengmarrja ndodhi të shtunën, gjatë një shërbese fetare në Kongregacionin Beth Israel në Colleyville, Teksas. Ata u morën peng nga një person që kërkonte lirimin nga burgu të një gruaje pakistaneze të dënuar për lidhje me Al-Kaidën.
Anëtarët e ekipit të shpëtimit të pengjeve të FBI-së ndërhynë në sinagogë për të liruar tre pengjet e mbetura, pas më shumë se 10 orësh.
Aafia Siddiqui, neuroshkencëtare pakistaneze, u dënua në vitin 2010 për përpjekje për të vrarë oficerët e ushtrisë amerikane, gjatë kohës që gjendej në paraburgim në Afganistan. Siddiqui ishte dënuar me 86 vjet burg. Ajo po e vuan dënimin në burgun federal të Teksasit.
Agjenti Special i ngarkuar i FBI-së, Matt DeSarno tha se nuk ka ndonjë indikacion se pengmarrësi kishte lidhje me ndonjë komplot më të gjerë, por shtoi se hetimi “do të ketë shtrirje globale”.
Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), një grup mbrojtës i myslimanëve të SHBA-së, e dënoi pengmarrjen.
“Ky sulm i fundit antisemitik ndaj hebrenjve amerikanë që luten në një sinagogë është një akt i së keqes së pastër”, tha CAIR në një deklaratë.
Presidenti Joe Biden, në një deklaratë për publikun, e përshëndeti përfundfimin me sukses të operacionit për lirimin e pengjegjeve. Ai u zotua se SHBA do të luftojë kundër përhapjes së urrejtjes dhe kundër ekstremizmit.
“Më lejoni të jem i qartë për këdo që synon të përhapë urrejtje, ne do të qëndrojmë kundër antisemitizmit dhe kundër rritjes së ekstremizmit në këtë vend”, u shpreh Biden.
(r.m.)