Lirohet nga arresti efektivi i RENEA-s që u kap me 113 mijë euro në makinë

Tiranë, 16 prill 2023 – Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Altin Morinën shefin e stërvitjes së repartit RENEA. Togat e zeza pranuan kërkesën e Morinës duke ndryshuar masën e sigurisë nga ajo e arrestit në burg në detyrimit për tu paraqitur në prokurori dhe tashmë hetimet do të vazhdojnë në gjendje të lirë.

Morina u arrestua një muaj më parë pasi në mjetin tip Audi me të cilin po udhëtonte iu gjet një sasi prej 113 mijë euro.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Morina deklaroi në gjykatë se shumën e parave e mori nga një miku i tij biznesmen për arsye familjare. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ai dorëzoi në gjykatë edhe faturat bankare që provonin se paratë ishin tërhequr nga biznesmenin Gentin Gjoka në një bankë të nivelit të dytë.

Gjatë marrjes në pyetje Gjoka ka deklaruar në prokurori se paratë që u gjetën në makinën e efektivit ia kishte dhënë ai hua, duke I vënë në dispozicion prokurorisë edhe mandatin e tërheqjes nga banka.

Më herët prokuroria u tërhoq edhe nga 2 akuzat e tjera “Fshehje e të ardhurave” dhe “Shpërdorim detyre” ndërsa Morina kishte mohuar në mënyrë kategorike që sasia e parave të jetë me burim aktivitete kriminale. Nga aktet hetimore rezulton se shefi i RENEA-s ka qenë i vetëm në momentin e ndalimit në Komunën e Parisit ndërsa prokuroria më herët i tha gjykatës se efektivi ka qenë nën survejim por pa dhënë detaje.

(abcnews.al)