Podgoricë, 11 nëntor 2022 – Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, pas më shumë se gjashtë muajsh e gjysmë është liruar nga paraburgimi në Podgoricë dhe do të mbrohet në gjendje të lirë në procedurë të mëtejshme.
Vendimi për anulim është marrë nga Gjykata e Lartë pas ankimimit të avokatëve të saj në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të mëparshëm për zgjatjen e masës së paraburgimit.
Avokati i saj, Zdravko Begoviq, tha të premten se zonjës Medenica i është ndërprerë paraburgimi pasi, siç tha ai, nuk ekziston rreziku i arratisjes së saj.
Ndërkaq, djali i saj Milosh Medenica, i cili është shpallur si pjesëmarrës i një organizate kriminale, ka mbetur në paraburgim.
Në muajin maj, Prokuroria Speciale e Shtetit ngriti aktakuzë kundër ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Vesna Medenica, duke e akuzuar atë si pjesë e një organizate kriminale të krijuar nga djali i saj Miloshi, njoftoi prokurori i shtetit,
Medenica, e cila kaloi 17 vjet në pozitat e larta gjyqësore në Mal të Zi, u arrestua më 17 prill në aeroportin e Podgoricës.
Ajo akuzohet se ka ndërmjetësuar në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2021, duke shfrytëzuar pozitën e saj zyrtare si kryetare e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, që disa çështje që janë zhvilluar në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, të përfundojnë në favor të disa kompanive.
(Zëri i Amerikës)