Martin Shkreli, i quajtur nga disa si “njeriu më i urryer në botë”, apo “shqiptari më famëkeq në botë” është liruar përpara kohe nga burgu.
Ai është transferuar nga një burg federal i sigurisë së ulët në një banesë ish-të burgosurish në gjendje gjysëm-lirie. Bëhet fjalë për një proces në SHBA, ku të liruarit para kohen nga burgimi bëjnë një jetë deri diku të lirë por mjaft të mikqyrur në pallatet ku banojnë dhe punësimin që sigurojnë.
Nëse gjithshka shkon mirë, ai mund të lirohet plotësisht në 14 shtator të këtij viti.
Duket se Martin Shkreli ka plotësuar me sukses të gjitha programet e nevojshme për lirim të parakohshëm, bëri të ditur avokati i tij, Ben Brafman.
Djali i emigrantëve shqiptarë në SHBA ishte një ndër yjet në ngjitje në botën që bashkon tregjet financiare me industrinë e farmaceutikës.
Për fat të keq, pasi bleu një ilaç të domosdoshëm për sëmundje të rënda, Daraprim, ai ia shumëfishoi çmimin brenda ditës, një praktikë e zakonshme në industrinë e farmaceutikës amerikane ku suksesi i shkencës bashkëjeton me grykësinë e tregut.
Ndryshe nga si veprojnë bosët e tjerë të industrisë së farmaceutikës, Shkreli duket se i shijoi roli publik i “djalit të keq”, duke sjellë mbi vete jo vetëm urretje masive por edhe hetime të vendosura e të zellshme të prokurorëve dhe institucioneve që patrullojnë abuzimet në bursën amerikane.
Kjo në fundi solli edhe rrëzimin e tij. Shkreli deri në fund refuzoi këshillat e miqve dhe avokatëve duke krijuar rreth vetes një cirk urrejtësish dhe adhuruesish. Në një rast u arrestua sepse u bëri thirrje ndjekësve që të shkulnin një qime nga koka e kandidates për president Hillary Clinton. Kush e bënte do të paguhej disa mijëra dollarë.
Në fund, u burgos dhe duket të kthejë 64 milionë dollarë të fituara nga rritja e çmimit të ilaçit Daraprim. Ai gjithashtu është i ndaluar të përzihet më në industrinë e farmaceutikës, si pjesë e dënimit nga gjykatësi.
Duke filluar nga sot, mund të hapë një kapitull të ri në jetën e tij. (Ruben Avxhiu)