Prishtinë, 29 mars 2021 – Lista Serbe paraqiti të hënën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për, siç tha, mbrojtjen e interesave të popullit serb.
Ankesa u paraqit në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane.
Në njoftimin për media thuhet se ankesa “sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri nën menaxhim, edhe pse duheshin dy”.
“Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues, duke respektuar të drejtat dhe interesat e popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera joshumicë”, thuhet në komunikatë.
Po sipas komunikatës, vendimi “për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucionet e nivelit qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore”.
Në përbërjen e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për Listën Serbe është ndarë Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.
Nëse Qeveria ka më shumë se 12 ministri, siç është rasti me kabinetin e ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë.
Përveç ministrit nga komuniteti serb, Qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera joshumicë.
Ministër për Zhvillim Rajonal është Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal është Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian.
Emilija Rexhepi, nga komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut.
(REL)