Prishtinë, 5 prill 2024 – Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, që do të zhvillohet prej sot, më 5 prill, deri më 17 maj.
Në thirrjen e publikuar në Facebook, Lista Serbe ka thënë se në këtë mënyrë qytetarët serbë në Kosovë do të shprehin revoltën e tyre ndaj “represionin shumëvjeça të regjimit të Albin Kurtit” ndaj popullit serb në Kosovë, i cili, sipas kësaj partie, “ka qëllim pastrimin etnik nga gjithçka serbe” në Kosovë.
“Të nderuar qytetarë, duke parasysh represionin shumëvjeça të regjimit të Albin Kurtit ndaj popullit tonë në Kosovë e Metohi, me qëllim pastrimin etnik nga gjithçka serbe në këto hapësira, dëshirojmë që Albin Kurtit dhe atyre që e përkrahin t’u dërgojmë mesazh të qartë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij me të cilin ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, thuhet në thirrjen e Listësa Serbe.
Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi, ka theksuar se pjesëmarrja e serbëve në procesin e regjistrimit “do të ishte poshtërimi më i madh” për qytetarët serbë në Kosovë.
“Pjesëmarrja e serbëve në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Lista Serbe e ka akuzuar kryeministrin Kurti edhe regjistrimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare gjatë luftës në Kosovë (1998/1999). Sipas saj, Kurti “dëshiron të sulmojë edhe Serbinë”.
“Krahas kësaj, Kurti dëshiron të sulmojë edhe Serbinë me këtë regjistrim me disa kërkesa për dëmshpërblime të luftës, gjë që e pengon edhe më shumë çdo serb të jetë pjesë e këtij procesi”, ka thënë ajo.
Regjistrimi i fundit të popullsisë në Kosovë, të zhvilluar në vitin 2011, nuk ishte bërë në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat tjera t٥ Kosovës me shumicë serbe.
Bojkoti i procesit të regjistrimit nga serbët ishte pasojë e obstruksioneve të Beogradit. Autoritetet shtetërore serbe u kishin kërkuar serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në regjistrim vetëm nëse ky process zhvillohet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.
(r.m.)