Lista Serbe kërcënohet edhe një herë me dalje nga institucionet e Kosovës

 

Prishtinë, 22 gusht 2022 – Lista Serbe paralajmëroi se ajo do t’i tërheqë përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, në rast se, siç tha. “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe për dokumentin e hyrje-daljes të Kosovës”.

Në fakt, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e përsëriti paralajmërimin e bërë një ditë më parë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se serbët mund të tërhiqen nga qeveria, por edhe nga organet tjera të Kosovës, në qoftë se nuk u realizohen kërkesat e tyre.

“Së pari, ne politikanët, e pastaj të gjithë me radhë … Edhe prokurorët, edhe gjyqtarët, edhe policia”, tha Rakiq, në një adresim për media të caktuara serbe, në pjesën veriore të Kosovës.

“Në këtë mënyrë do të ketë një shpërbërje totale të dialogut të Brukselit”, shtoi ai.

Lista Serbe bëri të ditur se Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dhënë mbështetje të plotë për të gjetur një zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme, por me garanci se Serbia nuk do të lejokë “persekutimin dhe dëbimin e popullit serb” në Kosovë.

Beogradi zyrtar kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të serbëve të Kosovës që lëshohen nga Serbia me targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës, me akronimin RKS (Republika e Kosovës, si edhe vendimin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e lëvizjes mes dy vendeve. Sipas këtij vendimi, qytetarët me dokumente identifikimi të lëshuara në Serbi do të pajisen me një dokument shtesë për hyrje/dalje dhe qëndrim në Kosovë, ashtu siç vepron Serbia me qytetarët me dokumente identifikimi të lëshuara në Kosovë, qysh prej viti 2011.

Në takimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, javën e kaluar, nuk u arrit ndonjë marrëveshje për asnjërën nga këto dy çështje, të cilat shkaktuar tensione në pjesën veriore të Kosovës, më 31 korrik.

Në Bruksel, Vuçiqi kërkoi që pajisja me dokument shoqërues për hyrje/dalje dhe qëndrim në Kosovë të mos vlejë për qytetarët serbë në veri të Kosovës dhe që targat e automjeteve të lëshuara në Serbi të zëvendësohen me targa që janë neutrake ndaj statusit të Kosovës (KS) dhe jo me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Të dielën, pas takimit me përfaqësues të serbëve të Kosovës, në Beograd, Vuçiq tha se gjatë 10 ditëve të ardhshme (para 1 shtatorit, kur pritet të fillojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës) do të kërkojë një zgjidhje “kompromisi”.

Sipas tij, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë qenë ata që kanë paralajmëruar tërheqjen nga institucionet e Kosovës, në qoftë se nuk realizohen kërkesat e tyre.

Historia e kërcënimeve të Listës Serbe me largim nga institucionet e Kosovës

Kërcnimi i Listës Serbe me largim nga institucionet e Kosovës që në fakt përdoret si shantazh për ushëheqjen shtetërore e politike të kosovës, nuk është gjë e re.

Në mars të këtij viti, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se e kishte “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Këtë herë, Lista Serbe, e cila kontrollohet plotësisht nga Beogradi, e përdori këtë për shkak se Qeverria e Kosovës nuk lejoi që në territorin e Kosovës të happen vendvotime për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që u mbajtën më 3 prill.

Lista Serbia ishte kërcënuar me dalje të serbëve nga institucionet e Kosovës edhe para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat janë mbajtur më 17 tetor 2021, në qoftë se brenda një muaji nuk do të fillonin bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me qëllim që të ushtrojnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me fuqi ekzekutive, siç e don Beogradi, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës ishin kërcënuar me dalje nga institucionet e Kosovës edhe në tetor të vitit 2020.

Një tjetër kërcënim me dalje të serbëve nga institucionet e Kosovës kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2019, kur pritej vendimi gjyqësor për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili ishte i akuzuar për “nxitje të urrejtjes nacionale”, për shkak se e kishte mohuar masakrën e Reçakut.

Lista Serbe ishte kërcënuar se do t’i braktiste institucionet e Kosovës edhe në maj të vitit 2019, në mars të vitit 2018,

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë dalë asnjëherë nga qeveria dhe nga institucionet e Kosovës. Në të vërtetë, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës, si edhe në institucionet dhe organet e pavarura, herë pas here nuk i kanë kryer obligimet e tyre kushtetuese e ligjore, por i kanë pranuar pagat dhe të gjitha benefitet që u takojnë meligjet e Kosovës.  

(r.m.)